Paris Saint-Germain ka akuzuar stafin mjekësor të Kombëtares së Francës se kanë injoruar rekomandimet e tyre lidhur me rrezikun e lëndimeve dhe ngarkesën e pranueshme për lojtarët e klubit, pasi Ousmane Dembele dhe Desire Doue u lënduan gjatë ndeshjes kualifikuese të Botërorit ndaj Ukrainës të premten.
Sulmuesi Dembele do të qëndrojë rreth gjashtë javë jashtë fushave për shkak të një problemi në kofshën e majtë, ndërsa mesfushori Doue do të mungojë rreth katër javë për shkak të një lëndimi në pulpë, pasi të dy pësuan dëmtime gjatë fitores 2-0 ndaj Ukrainës në Poloni.
Kampionët e Europës, PSG, të dielën deklaruan se në një letër drejtuar Federatës Franceze të Futbollit kishin kërkuar “një protokoll më transparent dhe bashkëpunues të koordinimit mjekësoro-sportiv mes klubeve dhe kombëtares”.
“(PSG) i kishte dërguar federatës informacion konkret mjekësor, madje para se Kombëtarja e Francës të fillonte stërvitjet, mbi ngarkesën e pranueshme dhe rreziqet e lëndimeve për lojtarët e saj”, thuhet në deklaratën e klubit.
“Klubi shpreh keqardhjen që këto rekomandime mjekësore nuk u morën parasysh nga stafi mjekësor i Kombëtares së Francës dhe që mungoi plotësisht konsultimi me ekipin tonë mjekësor”.
PSG theksoi se komunikimet mes klubeve dhe stafit mjekësor të Francës duhet të dokumentohen dhe se duhet të ndiqet “parimi i kujdesit” gjatë përzgjedhjes së lojtarëve për kombëtaren, sidomos kur ata janë në trajtim për ndonjë problem shëndetësor.
“Ngjarjet e fundit, serioze dhe të shmangshme, duhet të sjellin masa korrigjuese të shpejta dhe të menjëhershme”, shtoi klubi.
Nga ana tjetër, trajneri i Francës, Didier Deschamps, mbrojti vendimin e tij për ta aktivizuar Dembele të premten, duke theksuar se sulmuesi ishte i gatshëm, pavarësisht se ishte zëvendësuar më 30 gusht në një ndeshje të Ligue 1 kundër Toulouse për shkak të një shqetësimi në kofshën e djathtë.
“Isha i sigurt se ai ishte i aftë të zhvillonte një ndeshje në nivel të lartë; përndryshe nuk do ta kisha hedhur në fushë. Kësaj here është kofsha tjetër”, u shpreh Deschamps.
“Ai ishte në formë. Është fatkeqësi për të, por kjo mund t’i kishte ndodhur edhe ndonjë lojtari tjetër”.