Në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted” dhe si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Santo Domingo, janë finalizuar me sukses procedurat për ekstradimin e shtetasit shqiptar Soni Pepa alias Vilson Pepa, 41 vjeç, lindur në Lushnjë, nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt Shqipërisë.
Soni Pepa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale: Trafikim i narkotikëve, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Në sajë të informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të shkëmbimit të tij përmes Interpol Tiranës me autoritetet dominikane, u bë i mundur arrestimi i Pepës në Punta Cana dhe më pas ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Pas mbërritjes në vend, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vijojë procedurat përballë drejtësisë shqiptare.
Njoftimi i plotë i policisë:
Finalizohet ekstradimi i shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., nga Punta Cana/Republika Domenikane, në Shqipëri.
Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, lindur në Lushnjë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri.
Kush është Soni Pepa
Soni Pepa, 41 vjeç, hyri më 31 korrik 2025 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Punta Kanës, në lindje të vendit, i shoqëruar nga familja e tij, me pretendimin se vinte në vend për pushime.
Kur tentoi të largohej nga territori i Republikës Dominikane, autoritetet verifikuan se ai ishte i kërkuar nga drejtësia e vendit të tij, gjë që e shtyu të përpiqej të shmangte procesin.
Menjëherë u aktivizua një operacion për lokalizimin e tij, i cili përfundoi me arrestimin e tij të mërkurën, më 3 shtator, në Distriktin Kombëtar, përmes Zyrës Qendrore Kombëtare (OCN) të Interpol Santo Domingo.
Pepa është i kërkuar nga autoritetet e vendit të tij me Njoftimin e Kuq Nr. A-11907/8-2025, për pjesëmarrjen e dyshuar në trafik ndërkombëtar droge.
Sipas raporteve ndërkombëtare, i arrestuari lidhet me një ngarkesë prej 11 tonë kokainë, prej të cilave u sekuestruan 600 kilogramë në Roterdam, Holandë, midis 7 dhe 8 nëntorit 2020, përveç se ka financuar blerjen e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet.
Raportet tregojnë se ai ishte pjesë e një grupi kriminal ndërkombëtar që operonte në vende evropiane dhe amerikano-jugore, me qëllim trafikun e sasive të mëdha të narkotikëve. Ngarkesa e përmendur u nis nga porti i Viletas në Paraguai, me destinacion portin e Antverpës në Belgjikë.
Në momentin e kapjes, autoritetet i sekuestruan një pasaportë shqiptare, dokumente me origjinë italiane, pesë telefona të koduar dhe një shumë parash në dorë.
Policia Kombëtare njoftoi se në orët në vazhdim, Pepa do të transferohet te Drejtoria e Përgjithshme e Migracionit, për deportimin e mëtejshëm në koordinim me OCN-Interpol Santo Domingo.