Erogen Vaso u plagos ditën e sotme pas atentatit me kallashnikov që la pas dy viktima në qytetin e Shkodrës. Raportohet se Vaso është një emër i njohur në qytetin e Shkodrës jo vetëm për lidhjet e tij të dyshuara me grupin e Bajrave, por edhe për përfshirjen e tij në sport. Ai ka qenë futbollist i ekipit të Vllaznisë dhe më vonë ka mbajtur postin e presidentit të klubit të futbollit Tërbuni i Pukës.
Pas plagosjes së rëndë nga atentati me armë zjarri, Vaso është transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për trajtim më të specializuar, pasi plumbat i kanë prekur arteriet kryesore. Mjekët kanë konfirmuar se ai mban në trup tre plumba.
Nga atentati, humbën jetën në vendngjarje Armando Pali dhe më vonë në spital Liridon Kraja. Të dy u goditën nga breshëria e kallashnikovit, ndërsa e plagosur mbeti edhe një kamariere e lokalit, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar i ngjarjes është Rakip Gila, i cili u arrestua nga Policia e Shtetit pak pas atentatit, ndërsa ndaj tij vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe të përfshirjes së mundshme të personave të tjerë.