Pas masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër, policia është duke ushtruar kontrolle në banesat e fisit Lici. Në shtëpinë e hallës së Ibrahim Licit, kundërshtar i Bajrave janë gjetur dhe sekuestruar armë. Rakip Gila, autori i dyshuar njihej ndërkohë si pjesë e grupit të Lul Kullës, që është dhëndërr në familjen Lici.
Kontrollet po vijojnë dhe në këto momente. Mëngjesin e sotëm në Shkodër, u ekzekutuan Armand Pali dhe Liridon Kraja Lushi, ndërsa u plagosën Meri Kaceri dhe Erogen Vaso Brajoviq. Ky i fundit dyshohet të jetë shënjestër e atentatit.
Ai është vëllai i Denis Brajoviq, pjesë e grupit Bajri i arrestuar në kuadër të grupit Metamorfoza. Bajrat dhe Licët janë në përplasje të forta prej vitesh. Gila thotë se me Erogen Vason e kishte personale, por hetuesit dyshojnë se versioni i tij nuk qëndron, pasi ai ka vepruar për llogari të grupeve kriminale.