Avokati Kujtim Cakrani e cilësoi vendimin e Apelit për të lënë Ilir Metën në burg si të paracaktuar dhe politik, duke akuzuar drejtësinë se është e kapur nga interesat. Ai tha se vendimi është një turp për Europën dhe paralajmëroi kërkesa të reja për revokimin e masës së sigurisë.
Në deklaratën për mediat, avokati i çështjes, Kujtim Cakrani, u shpreh:
“U bë vetëm miratimi i vendimit të Shkallës së Parë. Ne nuk prisnim asgjë tjetër nga kjo gjykatë. Do të vazhdojmë me kërkesat tona ligjore. Nesër do të paraqesim një tjetër kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, pasi çështja është tashmë përpara gjyqtarit të seancës paraprake.
Ne do të vazhdojmë, sepse nuk është e pranueshme që një ish-President, ish-Kryeministër dhe ish-Kryetar Kuvendi të mbahet në paraburgim. Kjo është një nga turpet më të mëdha që po ndodh sot në Europë. Nuk ka asnjë president tjetër në kontinent që të mbahet në qeli për akuza të pretenduara, që dyshohet se kanë ndodhur dekada më parë.
Kjo situatë tregon qartë se organet e drejtësisë janë të kapura nga politika. Janë kthyer në gjykata politike.
Nuk ka më asnjë dyshim mbi atë që po ndodh me Presidentin Meta. Kërkesa jonë për zëvendësim të masës do të paraqitet nesër dhe do të vazhdojmë pa ndalur.
Sot, në seancë nuk u tha asgjë konkrete. Prokurori deklaroi vetëm se Presidenti duhet të qëndrojë në burg, sepse akuzohet për një vepër penale sipas nenit 260 të Kodit Penal. Vetëm kaq.
Unë fola për rreth 40 minuta, por avokatin e duan thjesht për procedurë – sepse vendimi është marrë më parë. Le të mos mendojnë se mund të tallen me ne, sepse nuk do t’ia dalin. As gjyqtarja, as prokurori, asnjë tjetër.