Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nesër (9 shtator) do t’i dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit – një proces i bllokuar pas vendimit të gjykatës për masë të përkohshme.
Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, tha se Osmani do t’i dërgojë qëndrimet e saj brenda afatit të përcaktuar, duke theksuar se mesazhi i saj është i qartë: “Askush nuk duhet të ketë të drejtën të bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin”.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi një masë të përkohshme, e vlefshme deri më 30 shtator, me të cilën ndaloi zhvillimin e procedurave për formimin e qeverisë dhe veprimet e deputetëve të zgjedhur. Vendimi erdhi pas kërkesës së Listës Serbe, por u mor ex officio nga gjykata.
Ky zhvillim ka hapur një përballje të re mes institucioneve. Presidenca mbron qëndrimin se bllokimi i Kuvendit cenon vetë shtetin, ndërsa Kushtetuesja e sheh masën si të domosdoshme për ruajtjen e rendit juridik dhe demokratik.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar vendimin e gjykatës si “absurd dhe të dëmshëm”, ndërsa Albin Kurti tha se masa 25-ditore është “edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme”.
Dorëzimi i komenteve nga Presidentja shihet si moment kyç në betejën politike për funksionalizimin e institucioneve.