Sot, besimtarët ortodoksë kremtojnë ditën e shënuar të Lindjes së Hyjlindëses Mari. Në këtë ditë, Kryeministri Edi Rama njoftoi se janë drejt përfundimit punimet restauruese në Manastirin e Spilesë, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore.
“Monumenti po rilind, duke ruajtur autenticitetin dhe historinë shekullore, si një akt besimi, dashurie e përkushtimi për brezat që vijnë”, shkroi Kryeministri Rama në rrjetet sociale duke renditur edhe punimet që janë kryer në këtë monument kulture.
Punimet kanë përfshirë sondazhe arkeologjike e konsolidim strukturash, pastrim e heqje ndërhyrjesh të papërshtatshme, restaurim të kupolave, qemerëve, dritareve e dyerve, sondazhe arkeologjike dhe verifikime të themeleve.
Falë këtyre punimeve, monumenti po rilind, duke ruajtur autenticitetin dhe duke i qëndruar besnik historisë shekullore.
Manastiri i Shën Mërisë Spile është nga më të bukurit e Lunxhërisë. Ai ndodhet mbi Saraqinisht, rreth 20 km larg Gjirokastrës. Mbishkrimi mbi portën kryesore të kishës (naosit) tregon se ky objekt kulti daton në vitin 1634, shkruan atsh.
Kisha e manastirit të Shën Mërisë Spile është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkitekturë”, i miratuar në qershor të vitit 1973. Manastiri është pikturuar nga piktor Mihali në kohën e peshkopit Kalist. Manastiri ngrihet mbi një shkëmb gëlqeror për shkak të shpellave karstike. Aty kanë banuar eremitët, njerëz që qëndronin të izoluar nga bota, të cilët përpiqeshin të vuanin qenien e tyre mëkatare, si një vepër shlyerjeje para Perëndisë.