Ballina Sport Spanja e papërmbajtshme, turpëron Turqinë, De la Fuente: Ishim perfekt

Spanja e papërmbajtshme, turpëron Turqinë, De la Fuente: Ishim perfekt

22
0

Spanja nuk di të ndalet, janë thjesht të papërmbajtshëm, perfekt në këtë rrugëtim në kualifikueset e Botërorit. “Furia e Kuqe” dhuroi një spektakël të vërtetë ofensivë përballë Turqisë, triumfuan me rezultatin e thellë 6-0 duke vërtetuar se janë ata ekipi më në formë në Evropë.

Ekipi i De la Fuentes e nisi sfidën “zjarr” duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 6-të, me Pedrin që finalizoi plot klas një aksion të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë. Goli i dytë, në minutën e 22-të, i finalizuar nga Merino ishte një manual i vërtetë futbolli, një gol për katalog. Spanja nuk u mjaftua me kaq, por në limitet e pjesës së parë, sërish Merino, sërish pas një aksioni shumë të bukur realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për iberikët.

Historia e këtij nuk ndryshoi në fraksionin e dytë, me Spanjën që kaloi në kundërsulm duke kapur “mat” Turqinë në minutën e 53-të me një zbritje të shpejt në sulm të finalizuar nga Ferran Torres. Katër minuta më pas, Merino kompletoi “tripletën” e tij personale dhe golin e pestë për Spanjën. Me Turqinë të pafuqishme për të reaguar, në minutën e 62-të, Pedri realizoi golin e dytë personal dhe të gjashtin për Spanjë duke i bërë një mbyllje të madhe këtij takimi.

Në dy ndeshjet e para në Grupin E, Spanja ka realizuar 9 gola dhe nuk ka pësuar asnjë, 6 pikë të plota, shifra dhe një paraqitje e shkëlqyer që kënaq trajnerin De la Fuente:

“Ishim të përsosur, nuk kam shumë për të thënë. Nuk donim të përsërisnim gabimet që bëmë kundër Bullgarisë. Nga sot kemi filluar të mendojnë për ndeshjet e muajit tjetër”, u shpreh De la Fuente. Në sfidën tjetër të Grupit E, Gjeorgjia fitoi me rezultatin e pastër 3-0 përballë Bullgarisë.