Një baba që kishte qenë në arrati me tre fëmijët e tij në pyjet e Zelandës së Re për gati katër vjet është qëlluar për vdekje nga policia.
Tom Phillips, i cili ishte zhdukur me fëmijët në fund të vitit 2021, kishte arritur t’i shpëtojë policisë pavarësisht kërkimeve gjatë viteve. Rasti i tij kishte tërhequr vëmendjen e gjithë vendit dhe mbetet një nga misteret më të mëdha të Zelandës së Re.
BBC raporton se Phillips u vra në një shkëmbim zjarri rreth orës 02:30 të mëngjesit të së dielës, ku një oficer policie u plagos rëndë.
Policia po përgjigjej ndaj një raporti për grabitje në një pronë tregtare në Piopio, një qytet i vogël në veri të Zelandës së Re, kur Phillips dhe një prej fëmijëve të tij u panë duke udhëtuar me një motor katër rrotësh. Policia thotë se i ndoqi dhe më pas vendosi goma me thumba për t’i ndaluar. Si rezultat mjeti doli nga rruga.
Zëvendëskomisionerja e Policisë Jill Rogers tha për gazetarët se kur efektivët mbërritën pranë mjetit u përballën me të shtëna me armë, të cilave u detyruan t’u kundërpërgjigjen. Oficeri i parë që arriti në vendngjarje u qëllua në kokë dhe gjendet në gjendje të rëndë. Një njësi tjetër patrulle u përfshi në shkëmbimin e zjarrit me Phillips-in, i cili u qëllua dhe vdiq në vend.
Dy prej fëmijëve u gjetën më vonë gjatë ditës në një kamp të largët në pyll të dendur. Fëmija me të cilin ishte Phillips, i cili nuk është identifikuar, dha informacion “thelbësor” që ndihmoi për të gjetur dy fëmijët e tjerë më vonë gjatë ditës. Të tre fëmijët janë pa lëndime, tha Rogers.
Nuk dihet nëse fëmijët janë informuar për vdekjen e babait të tyre. Policia ka njoftuar nënën dhe prindërit e Phillips se fëmijët janë të sigurt, megjithëse ata nuk kanë komentuar se kush do të kujdeset për ta në vazhdim.
Nëna e fëmijëve, e njohur vetëm si Cat, tha për median lokale RNZ se ndihej “thellësisht e lehtësuar” që “kjo dramë ka marrë fund”, pasi atë e kishte marrë malli për fëmijët gjatë gjithë këtyre katër viteve.







