Lapraka është zona më e zhurmshme e kryeqytetit. Jo vetëm ditën, por edhe natën, banorët e kësaj zone janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të zhurmës. Të dhënat bëhen të ditura nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, sipas së cilës ditën në këtë zonë kemi tejkalim të normës me 27 %, ndërsa natën me 9.3 %.
Sipas AKM, nivelet e monitoruara ditën në stacionin “Laprakë” janë në vlerën 69.8 dB, nga 55 që është norma e lejuar e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Por në monitorim kanë qenë edhe zona të tjera të kryeqytetit. Pas Laprakës, e dyta si zona më e zhurmshme është Stacioni i Trenit, i ndjekur nga kryqëzimi i Vasil Shantos.
Në të 15 pikat e monitoruara ka tejkalim të normës së zhurmave, ku burim kryesor kanë trafikun e automjeteve, sirenat dhe boritë.
E vetmja zonë me tejkalimin më të ulët të normës së lejuar për zhurmat është “Shkolla e Bashkuar”.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave shkakton probleme me dëgjimin, inflamacion të trurit, mungesë përqendrimi, probleme me gjumin, agresivitet. Po ashtu, nivelet e larta të zhurmës mund të rezultojnë në efekte kardiovaskulare dhe ekspozimi ndaj niveleve të larta gjatë një periudhe të vetme tetëorëshe shkakton një rritje në presionin e gjakut.