Në mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të 11 majit, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër ndaj qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje të drejtpërdrejta me botën e krimit dhe për përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të pasurimit të individëve të lidhur me trafikun e drogës.
Në deklaratën e tij, Berisha tha se miliarda euro pasuri po përqendrohen në duart e personave anonimë ose të njohur si të lidhur me krimin, të cilët, sipas tij, janë të mbrojtur dhe të promovuar nga vetë kryeministri.
“6 miliardë euro janë lënë në dorën e një Çopja, apo Troplini, apo të tjerë. Të gjitha kanë një padrino, Edi Ramën. Një njeri si Franc Çopja, që nuk ia kishim dëgjuar emrin kurrë, sot del me 6 miliardë euro pa djersitur një ditë në punë,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, ky pasurim i paprecedentë është rezultat i një regjimi të kapur nga droga, ku paratë e trafikut janë bërë burimi i vetëm i fuqisë politike dhe ekonomike në vend.
Berisha solli në vëmendje edhe rastin e të ashtuquajturit karteli Troplini, të cilit sipas tij i janë falur 38 mijë metra katrorë tokë publike në Durrës, për të ndërtuar 5 kulla dhe 12 vila, si shpërblim për shërbime të kryera.
“Në diktaturën e Edi Ramës, forca kryesore lëvizëse është droga. Droga emëron ministrat, drejtorët e policisë, prokurorët, deputetët. Ajo vendos në çdo nivel. Kudo ku ndërtohen kulla, aty është droga. Pas tyre qëndrojnë qindra milionë euro nga trafiku,” theksoi lideri i opozitës.