Romani Lufta e Pengjeve i shkrimtarit, publicistit dhe kineastit nga Kosova, Gani Mehmetaj, tashmë është botuar në gjuhën kroate. Libri sjell rrëfime tronditëse për fatin e tetë ushtarëve të rinj, ku secili përfaqëson një nga popujt e ish-Jugosllavisë. Ajo që i bashkon është një uniformë – uniforma e ushtrisë jugosllave – dhe një realitet i përbashkët i dhunshëm.
Ngjarjet zhvillohen në një kazermë të braktisur në Alpet sllovene, ku ushtarët Zoran, Franc, Ilirian, Senad, Stipe, Dimçe, Ištvan dhe Božo përballen me një armik të paidentifikuar, duke luftuar për diçka që nuk e kuptojnë dhe që nuk e ndiejnë si të tyren. Uniforma e përbashkët nuk arrin të fshijë dallimet e thella etnike, paragjykimet historike dhe urrejtjen shekullore. Përkundrazi, këto dallime shpërfaqen edhe më fuqishëm, duke dëshmuar se projekti jugosllav ishte i destinuar për dështim që në fillesat e tij.
Romani shmang qasjet e thjeshtuara propagandistike dhe nuk imponon qëndrime, por sjell një pasqyrë të gjallë e të fuqishme përvojash që burojnë edhe nga krijimtaria filmike e autorit. Në pasthënien e botimit kroat theksohet se libri i bën lexuesit të përjetojnë kompleksitetin e rrethanave historike dhe marrëdhënieve të ndërlikuara ndërmjet popujve të ish-Jugosllavisë, përmes ngjarjeve dramatike që zhvillohen në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e më gjerë. Protagonisti kryesor bart mbi vete trashëgiminë historike dhe përjeton tmerrin e luftës, plagosjet, burgosjen, arratisjen e mbijetesën.
Përmes këtij romani, Gani Mehmetaj jo vetëm që kundërshton perspektivat e njëanshme, por e fton lexuesin të shohë historinë nga kënde të ndryshme: të njeriut, të përkatësisë etnike, të urrejtjes reciproke, miteve dhe kulturave. Ai nuk ofron receta të gatshme, por shton pyetje, nxit reflektim dhe përdor një gjuhë të mbështetur në dokumente historike, këngë dhe tradita gojore të çdo populli.
Mehmetaj është fitues i Çmimit Kadare 2021, ndërsa romani i tij “Zogjtë e qyqes” është përkthyer e botuar në gjuhën frënge, duke dëshmuar përmasat ndërkombëtare të krijimtarisë së tij letrare.
Romani është botuar në kolanën “Proza e mirë (Dobra proza) ku botohen autorët e njohur të letërsisë botërore si: Benito Perez, Carole Martinez, Catrina Bonvici, James Joyce, Mihail Bulgakov etj.