Ballina Opinion Revolta e gjeneratës Z në Nepal, u drejtua kundër fëmijëve të politikanëve!

Revolta e gjeneratës Z në Nepal, u drejtua kundër fëmijëve të politikanëve!

0
12

Nga Alexander Heinen, Bild

Zjarre, gaz lotsjellës, të shtëna: Nepali zhytet në kaos!

Kryeministri Khadga Prasad Oli u detyrua të japë dorëheqjen të martën – por zemërimi në rrugë vazhdon.

Mijëra të rinj, të nxitur nga frustrimi për një ndalim të përkohshëm të Facebook, X dhe YouTube, marshojnë duke shkaktuar trazira në kryeqytetin Katmandu. Ata bllokojnë rrugët, sulmojnë ndërtesat qeveritare, i vendosin zjarrin pallateve dhe ministrive. Tymi i dendur ngrihet mbi kryeqytet. Helikopterët e ushtrisë shpërngulin ministrat në vende të sigurta. Të paktën 19 persona kanë vdekur, kur forcat e sigurisë u përleshën me demonstruesit me forcë të plotë.

Protestat nuk janë më vetëm kundër bllokadës në internet. Gjeneratës Z në Nepal i ka ardhur në majë të hundës me korrupsionin, nepotizmin dhe një elitë të shkëputur nga realiteti. Veçanërisht në shënjestër: fëmijët e politikanëve – “Nepo Kids” – që jetojnë në luks, ndërsa papunësia e të rinjve në këtë shtet të Himalajeve arrin 20 përqind.

Çdo ditë, mbi 2.000 të rinj nepalezë e lënë vendin e tyre në kërkim të punës jashtë. “Për ne nuk ka më asnjë arsye për të qëndruar këtu,” thotë me zemërim studenti Bishnu Thapa Chetri.

Të martën, dhuna u përshkallëzua më tej: videot në rrjetet sociale tregojnë se si kreu i Kongresit të Nepalit, Sher Bahadur Deuba, dhe gruaja e tij, Ministrja e Jashtme Arzu Rana Deuba, u sulmuan dhe u rrahën deri në gjakosje nga turma e zemëruar.
Në një klip shihet se si ndihmësit e shpërngulin kreun e partisë në një vend të sigurt. Kongresi i Nepalit është partia më e madhe në vend – dhe pjesë e koalicionit qeverisës të diskutueshëm.

Sipas raportimeve mediatike, Rajyalaxmi Chitrakar, gruaja e ish-kryeministrit Jhalanath Khanal, ka humbur jetën gjatë protestave. Sipas këtyre raporteve, shtëpisë së saj në lagjen Dallu të Katmandus iu vu zjarri nga demonstruesit. Ajo u dërgua në Spitalin e Djegieve Kirtipur, por aty vdiq nga plagët e rënda.

Edhe rezidencat private të Kryeministrit Oli, Ministrit të Brendshëm dhe kreut të opozitës u dogjën. Pallati presidencial dhe ndërtesa e Gjykatës Supreme u ndezën gjithashtu në flakë. Përpara ndërtesës së shkatërruar të Parlamentit, një demonstrues brohoriti: “Jemi këtu sepse miqtë tanë u vranë. Oli duhet të rrëzohet!”