Shkencëtarët kinezë kanë bërë thirrje për masa urgjente për të rregulluar transportin detar në lumin Jance, ndërsa popullata e delfinëve pa pendë, një specie kritike, vazhdon të rritet ngadalë pas dekadash rënieje.
Në Institutin e Hidrobiologjisë në Wuhan, një duzinë delfinësh gri të lëmuar dhe pa pendë rrëshqasin brenda një pishine të madhe, pjesë e një projekti shkencor për mbrojtjen dhe shumimin e këtyre gjitarëve të rrallë që jetojnë në lumin më të gjatë të Kinës.
Lumi Jance, një nga rrugët ujore më të ngarkuara në botë me 16 porte kryesore, po përballet me një presion të madh nga trafiku i anijeve.
Delfini pa pendë është bërë një “barometër” i shëndetit të lumit, duke reflektuar ndikimin e ndotjes, trafikut dhe peshkimit të paligjshëm në ekosistemin ujore.
Popullata e kësaj specie ka rënë nga mbi 2,500 individë në vitet 1990 në vetëm 1,012 në vitin 2017, sipas studiuesve, për shkak të këtyre faktorëve.
Ng Han Guan nga AP raporton se tani popullata po rritet në rreth 1,300 individë, falë përpjekjeve për ruajtjen e natyrës dhe ligjit të miratuar në vitin 2021 që ndalon peshkimin për 10 vjet dhe kufizon ndotjen industriale.
Studiuesi veteran Wang Ding paralajmëroi se nëse delfinët pa pendë nuk mund të mbijetojnë, specie të tjera të rralla do të rrezikohen.
Ai kujtoi zhdukjen funksionale të racës Baiji, një tjetër specie delfinësh që nuk u gjet më gjatë një kërkimi ndërkombëtar në 2006.
Përveç mbrojtjes së delfinëve, shkencëtarët po punojnë për të rivendosur edhe popullatat e peshqve në lumin Jance, duke i lëshuar mijëra individë të shumuar artificialisht.
Ata kërkojnë masa shtesë për të rregulluar transportin detar dhe për të zgjeruar ndalimin e peshkimit, me qëllim mbrojtjen e ekosistemit të lumit.