Ballina Opinion Shqipëria 2030 dhe qeverisja “Rama 4” që po na vjen nga restoranti!

Shqipëria 2030 dhe qeverisja “Rama 4” që po na vjen nga restoranti!

0
22

Nga Afrim Krasniqi

Demokracia përfaqësuese dhe ushtrimi i  sovranitetit në emër të qytetarëve nuk janë nocione formale, ato legjitimohen nga vota, besimi dhe pjesëmarrja, si dhe jetësohen në praktikë nga politika me integritet, vlera morale dhe vizione strategjike. Duken fjalë të mëdha, por janë reale.

Shqipëria votoi për parlamentin e ri më 11 maj, qytetarët pjesëmarrës e deleguan sovranitetin e tyre, ekipet politike të shumicës dhe pakicës kanë përgjegjësinë e përkthimit të rezultateve në terma konkretë, duke kanalizuar në linja institucionale ofertat politike dhe alternative të zhvillimit, qasjet strategjike dhe vizionin për të ardhmen. Gjithçka vendoset gjatë kësaj jave, e cila prej më shumë se dy dekadash vijon të jetë çdo katër vjet muaji i krijimit të institucioneve të reja, parlamentit dhe qeverisë. Shqipëria nuk është vendi i vetëm që bëri zgjedhje. Gjatë vitit 2025 pati zgjedhje në disa vende europiane dhe pas tyre edhe krijim të qeverive të reja dhe nisje të legjislaturave parlamentare.

Midis shteteve janë edhe vende si Gjermania, Kanadaja, Portugalia, etj., të cilat në ligjërimin dhe memorien tonë politike përbëjnë modele pozitive të demokracisë funksionale. Ne duam të jemi pjesë e BE dhe në çdo rast krahasimi duhet bërë në këtë kontekst, me vendet e BE dhe modelet e njëjta në SHBA e Kanada. Shqipëria nuk është gjithashtu vendi i vetëm që gjatë 2025 pati rikonfirmim të qeverisë në zgjedhje, e njëjtë ishte situata edhe në dy prej vendeve të mësipërme, ndërkohë që në Gjermani SPD vijoi të mbetet në qeveri, tashmë në koalicion CDU si shumicë. Duke krahasuar modelet dalin në pah edhe diferencat, por edhe mangësitë, të cilat në thelbin e tyre, shprehin edhe hendekun ende të madh në kulturën politike dhe mënyrën sesi ne e perceptojmë dhe ushtrojmë demokracinë, sovranitetin dhe legjitimitetin.

Në Berlin, Lisbonë apo Otava kryeministri fitues konsultoi dhe hartoi programin qeverisës, përcaktoi prioritetet dhe buxhetet, prezantoi në publik politikat prioritare dhe pas dakordësisë, nënshkroi kontratë me partnerët në qeveri. Pas këtij procesi u kalua te krijimi i kabinetit qeveritar dhe ekipit drejtues parlamentar, të cilët gjithashtu ishin rezultat votëbesimi dhe përzgjedhje e bazuar në cilësinë, mandatin dhe aftësinë e tyre për përmbushjen e programit qeveritar. Ky është standardi dhe rregulli klasik në një vend demokratik. Po në Shqipëri? Partia Socialiste ka lajmëruar mbledhje të radhës me 11 shtator në një restorant në periferi të Tiranës. Si edhe në të kaluarën, aty kryeministri do të mbaj fjalim politik dhe në fund të tij, do të bëj publike emrat e ministrave të rinj dhe ekipit të ri drejtues në parlament dhe në qeveri. Asnjëherë, askush, as ata që ikin apo vijnë, nuk janë në dijeni paraprake mbi vendimin e kryeministrit. Në këtë mënyrë ata do të jenë ministrat e vetëm në shtetet demokratike që e mësojnë në TV live nëse janë shkarkuar, nëse rikonfirmohen ose nëse zgjidhen (për herë të parë). E njëjta edhe me kryesinë e Kuvendit apo postet politike në parti.

E njëjta gjë, por pa restorant e media, ndodhi edhe tek opozita. Në fund të mbledhjes media do të merret me emrat, “surprizat”, qeveria do të kalojë formalisht për debat e votim në Kuvend, Kuvendi do votojnë formalisht drejtuesin e vet dhe kështu, brenda pak ditësh do të kemi në detyrë parlamentin e ri, qeverinë e re dhe ekipin e ri drejtues të mazhorancës, së paku, për dy vitet e ardhshme. Në mes të mandatit gjithnjë ka pasur dhe do ketë ndryshime, kryesisht nisur nga nevoja elektorale. Ajo që do t‘i mungojë medias dhe publikut është pjesa më e rëndësishme, – programi, prioritetet, kontrata shoqërore votues – mazhorancë, vizioni strategjik, buxheti dhe mekanizmat që garantojnë një zhvillim cilësor për vendin e qytetarët. Për ato nuk u gjet kohë për debat gjatë 4-5 muajve të fundit, nuk ka vend as në mbledhjen formale në restorant ku do të emërohet qeveria dhe kryesia e re e parlamentit. Cila do të jetë përgjigja për nivelin e lartë të korrupsionit dhe valët e emigrimit në vend, për krizën ekonomike dhe pasigurinë sociale, për humbjen e kontrollit të territorit dhe paaftësinë e shtetit për të ofruarshërbime publike, për krizën në spitale dhe sidomos atë në arsim?

Cila është zgjidhja për dosjen konfliktuale të pronësisë mbi tokën, drejtësinë e paplotë, rendin e kontrolluar nga “fortët”, oligarkët që marrin dhuratë asetet strategjike kombëtare, krimin mjedisor dhe braktisjen e bujqësisë? Për këto ende nuk ka as debat, as mbledhje, as konsultime, as program dhe as agjendë. Në qeverisjen përmes “show”-t, cilësia e “show”-t ka vlerë, asgjë tjetër. A mund të jetë demokracia kaq formale? A kanë politikanët detyrime morale dhe institucionale ndaj shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve, edhe kur ata janë fitues me numra? A është kjo rruga që na bën të denjë e seriozë për 2030 në BE? A kemi mekanizma sigurie që kontrollojmë ushtruesit e pushtetit dhe mjete efektive për t’u kujtuar të zgjedhurve pritshmëritë e zgjedhësve? A mund të kemi ministra dhe titullarë të lartë shtetërorë individë të pa votuar, preferenca personale të emëruar pa sistem meritokracie dhe as përmes një procesi transparent e ballafaques edhe me CV-të e tyre? A është e mjaftueshme shumica e numrave në Kuvend për ta njësuar shtetin me pushtetin, ato me partinë fituese dhe të tria me preferencat e titullarit të partisë fituese?

Kush mban përgjegjësi nëse ndonjë ministër apo i zgjedhur dështon, rezulton me rekorde korrupsioni, nuk është i aftë për detyrën apo mund të kërkojë azil për t’i shpëtuar drejtësisë? Teza e përgjegjësisë individuale nuk bind, ata nuk konkurrojnë për ministra, përzgjidhen nga shefi i tyre. Shqipëria e vitit 2025 meriton një qasje tjetër, shumë më reformatore, më demokratike, më qytetare, më institucionale, më efektive. Në mungesë të saj, duke pasur ofertë të vetme vijimin e tranzicionit, Shqipëria meriton minimalisht më shumë respekt në procedura, në solemnitet dhe në përfaqësim. Së paku në koherencë me standardin e shërbimit të Xibrakut, ku mbi bazë të sloganit “Shqipëria 2030në BE, vetëm me Edin dhe PS” menyja e 11 shtatorit do të ofrojë pa opsion tjetër emërimin e qeverisë, drejtuesve të parlamentit e parti, batuta dhe “show”, foto dhe duartrokitje.