Ballina Kronika Vrasja e Agustin Kazës në Bruksel/ Dalin pamjet e autorit të dyshuar,...

Vrasja e Agustin Kazës në Bruksel/ Dalin pamjet e autorit të dyshuar, policia belge nis kërkimet

20
0

Hetimet për vrasjen e rëndë që ndodhi më 28 prill 2024 në lagjen Schaerbeek të Brukselit vijojnë me intensitet, ndërsa zyra e prokurorit publik të Brukselit ka lëshuar një urdhër të tretë kërkimi për të identifikuar një tjetër person të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

Viktima, Augustin Kaza, një shtetas shqiptar 44-vjeç, u qëllua me armë zjarri ndërsa ishte ulur në tarracën e kafenesë “Xhoni” në Rue Joseph Brand. Ai u godit në gjoks dhe kokë dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë në spital më 6 maj 2024. Sipas burimeve të medias belge Sudinfo, ngjarja dyshohet të jetë pjesë e një larjeje hesapesh.

Pas publikimit të pamjeve të autorit të dyshuar të krimit në maj të këtij viti – një person me kostum të errët me vijë të kuqe, logo të bardhë në gjoks, kapuç dhe kapelë, që u largua në këmbë duke çaluar drejt Rue Ernest Laude – autoritetet belge lëshuan më vonë dhe një urdhër kërkimi për një person të dytë. Ky ishte përshkruar si një burrë rreth 1.80 metra i gjatë, me fytyrë të dobët, flokë të errët, mustaqe, i veshur me xhaketë të zezë me kapuç dhe xhinse gri të errëta.

Së fundmi, hetuesit janë në kërkim të personit të tretë, i cili përshkruhet si me trup të shëndoshë, i veshur me bluzë me kapuç të zi, kapelë të zezë, dhe xhinse gri të errëta. Roli i tij i saktë në ngjarje nuk është bërë ende publik.

Policia belge u bëri thirrje qytetarëve që kanë informacione rreth kësaj ngjarjeje apo identitetit të personit të tretë të kontaktojnë menjëherë autoritetet.