NASA ka njoftuar se roboti eksplorues, i vendosur në Mars që nga viti 2021, ka zbuluar në kraterin Jezero disa përbërës organikë dhe minerale që në Tokë lidhen shpesh me ambiente të përshtatshme për jetë mikrobike.
Krateri Jezero është përzgjedhur si vendi i uljes për robotin pasi ruan gjurmë të një delte të lashtë lumore. Shkencëtarët besojnë se miliarda vjet më parë, ky ishte një liqen i ushqyer nga rrjedha uji, me kushte ideale për sedimentimin e balçës dhe mineraleve. Pikërisht në këto shtresa gjenden dëshmitë e klimës dhe historisë gjeologjike të Marsit.
Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, përfshin molekula të karbonit, si edhe minerale të veçanta si vivianite dhe greigite, të cilat mund të kenë origjinë biologjike ose geokimike.
Ekspertët flasin për “biofirma të mundshme”, por theksojnë se vetëm analizat e mëtejshme laboratorike do të mund të përcaktojnë nëse këto shenja vijnë nga mikrobet e lashta marsiane apo nga procese jo biologjike.
Që nga mbërritja në Mars, roboti ka mbledhur tridhjetë mostra, të cilat janë planifikuar të dërgohen në një mision të ardhshëm rikthimi në Tokë.
Ky zbulim përfaqëson një hap të rëndësishëm në kërkimin ndërkombëtar për të kuptuar nëse jeta ekziston apo ka ekzistuar jashtë Tokës.