Nga Azgan Haklaj
Mediat nacionale, ato online, shoqata të dala nga lufta e fundit në Kosovë, por edhe shumë personalitete nga Kosova e trojet tona etnike, e kanë lajmëruar 14 shtatorin, si ditën e protestës masive shqiptare përpara tribunalit të dhomave të specializuara me seli në Hagë.
Haga e cila u “shenjtërua” nga proceset e përbotshme kundër kriminelëve të luftës si dikur Nurembergu me procesin e montuar, të çoroditur deri në paradoks e shëmti kundër Hashim Thaçit e krerëve të tjerë politiko-ushtarak të UÇK-së, sot është kthyer as më pak e as më shumë se në një simbol të keqgjykimit, farsës, gënjeshtrës, montimit në mos një shtojcë e zbardhjes të raporteve të BIA-s serbe apo sherbimeve të tjera anti shqiptare e anti perëndimore.
E keqja më e madhe e paradoksi i dhimbshëm por dhe qesharak është se kjo gjykatë, që për arsye të pa arsyetueshme operon në Hagë, në fakt është Gjykatë e Republikës së Kosovës e aprovuar nga Parlamenti i saj!
Nuk merret vesh përse kjo gjykatë fitoi rezidencë ekstra territoriale kur Kosova jo vetëm është një shtet demokratik por dhe i sigurt, pasi monitorohet e garantohet ligjërisht nga OKB dhe NATO!
Por faktet e këtyre 5 viteve dëshmuan djallëzinë e këtij veprimi i cili po ekspozon në sytë e botës një gjykim makabër, jo vetëm juridikisht por dhe njerëzisht.
Mjafton përsonaliteti i rrënuar, i diskretituar i hartuesit të këtyre akuzave, prokurorit politik amerikan Smith, për të kuptuar jo vetëm vanitetin e këtyre akuzave por atë histori të errët anti shqiptare që qëndron pas tyre.
Ka mijëra arsyetime logjike humane e juridike që rrëzojnë akuzat kundër ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së që prej afro 5 vitesh po mbahen peng në Hagë, por ky nuk është intensioni i këtij shkrimi sot.
Ajo që është në themelin e vërtetë të këtij palo gjykimi është tentativa e çmendur për ta barazuar viktimën me agresorin, pushtimin me rezistencën që buron nga lufta për mbijetesë.
E në këto kushte sot protesta e 14 Shtatorit nuk është një protestë shoqatash apo grupacionesh politike, por një protestë shpirtërore e shqiptarëve për të mbrojtur drejtësinë, ekzistencën, krenarinë e tyre nacionale.
Ndaj i madh e i vogël që ka mundësinë minimale në Europë, trojet etnike shqiptare e kudo ku na ka shpërndarë halli e historia të mblidhemi nën flamurin tonë, nën simbolet e shenjta “UÇK” me 14 Shtator për ti dëshmuar jo vetëm botës demokratike, por edhe armiqve të lirisë universale, se me kombin tonë nuk do mund të bëhet më pazar as me rubla dhe as me dinarë.