Ballina Kulturë Donika Dabishevci: Kështjellat e së ardhmes nuk duhet ngritur mbi trupa grash

Donika Dabishevci: Kështjellat e së ardhmes nuk duhet ngritur mbi trupa grash

14
0

E mbaj mend që n’fëmini e përgjat rritës, përmes librash e shkollës na e patën injektue n’krye Legjendën e Rozafës si nji mësim themelor të martirizimit, ngritun në nji naltsi sakrale, tuj na ushqye me narrativën rilindase e patriotike se Shqipnia s’asht ba veç prej vringllimave të shpatave të burrave, por edhe prej gjakut e lotëve të grave t’sakrifikueme për me i forcue themelet e atdheut e bedenat e kështjellave.

Nga Donika Dabishevci

Sot, e lirueme prej këtyne narrativave, shoh veç flijimin e imponuem t’grues dhe mënyrën si shoqnitë patriarkale kanë ngjizë themelet mbi trupin, jetën e gjakun e grave.

Tre vllaznive që ndërtojshin ditën e u shembeshin muret natën, ju vjen përmes nji plaku zani i mendësisë kolektive patriarkale që shpall verdiktin: “Muroseni nji grue, se ndryshe veç s’ban.”

Pa praninë e saj, pa u pyet ajo, pa ju tregu asaj. Sepse ajo nuk asht as subjekt vendimi, as pjesë e kuvendit. Ajo asht veç material ndërtimi. Gur, tullë, beton…

Dhe historia shkon tuj u dramatizu tutje.

Dy vllaznit e mëdhej, të fuqishmit, e shkelin besën për me i pshtue gratë e tyne. Sepse as besa, ajo hyjnorja, e dëlira, autentikja, nuk mbahet gjithnji. Jo kur hyn interesi personal. Dhe jo nga më të fortit.

I vogli, tradicionalisht ma i papërfillshmi, po. Ai e mban fjalën. Sepse duhet me dhanë diçka për me fitu diçka. P.sh. status. E meqë çdo strukturë pushteti kërkon nji flijim për me u ngritë mbi ata që janë ma poshtë, i vogli e jep atë që kërkohet. Nusen. Trupin e saj.

Si gjithmonë, ma e pafuqishmja, ma e heshtuna, ma e binduna, ma e pambrojtuna asht ajo që flijohet.

Ajo e cila pa pikë mbështetje, e pikë fuqie me kundërshtue, n‘grahmën e fundit e gjen nji hapësinë t’vogël lirie për me mujtë me e shprehë nji dëshirë t’fundit pak pa dekë: synin, dorën, kambën e gjinin e djathtë lutet me ja lanë jashtë murit.

Se djalin e kam të vogël, tha. “Kur t’ja nisë me qajtë, me e pa me njanin sy, me e ledhatue me njanën dorë, me e përkundë me njanën kambë, e me e ushqye me njanin gji”.

Pra, jo për vete, por për fëmi. Edhe e murosun, me mbetë e reduktueme n’rol e funksion nane. Tuj ju përjetësu veç gjini.

Asaj që në legjendë s’ka as emër. Që asht veç “nusja e vogël”. Nji nuse pa identitet, nji nuse pa histori, nji nuse pa tregim personal, nji nuse që mbahet mend veç pse u flijue n’funksion t’historisë s’burrave.

Sot, për ndryshim prej mënyrës si ma ambalazhuen n’fëmini, Anës, çikës teme, Legjendën e Rozafës ja lexoj si nji thirrje mos me njoftë logjikë flijimi për asgja, e aq ma pak për bedena, fortifikata e kështjella çfarëdo qofshin ato, sepse në fund të fundit, kështjellat e së ardhmes nuk duhet me u ngritë kurrë e asnjiherë mbi trupa, e aq ma pak mbi trupa grash apo të pafuqishmish!/observer/