Gjashtë bashki të vendit do të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Në këtë listë është edhe bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës, për të cilën Kryeministri Edi Rama, sot nga Asambleja e PS, kërkoi që të nisin procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt i cili është i arrestuar dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, zgjedhje priten edhe në Bashkinë e Vlorës, pasi kryebashkiaku la detyrën mbrëmjen e së mërkurës (10 shtator).
Drejt zgjedhjeve të parakohshme janë edhe 3 bashki, ajo e Matit, Beratit dhe Tepelenës, për shkak se kryetarët e këtyre institucioneve dhanë dorëheqjen pasi u zgjodhën deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit (respektivisht Agron Malaj, Ervin Demo dhe Tërmet Peçi).
Sapo qeveria të shpallë vakancën, këto 3 bashki do të shkojnë drejt zgjedhjeve.
Emërimi surprizë i Andis Sallës në Ministrinë Bujqësisë, ditën e sotme në Asamblenë e PS, hap garën për zgjedhje edhe në Bashkinë e Cërrikut.