Ballina Bota “Dua të jem provokues”/ Charlie Kirk, influenceri me miliona ndjekës që tronditi...

“Dua të jem provokues”/ Charlie Kirk, influenceri me miliona ndjekës që tronditi politikën amerikane

14
0

Kur u përhap lajmi se dikush kishte qëlluar Charlie Kirk, fytyrat e punonjësve të rinj në Shtëpinë e Bardhë u tronditën. Shumë prej tyre e njihnin mirë. Për presidentin Trump, ai ishte mik i ngushtë, siç tregoi edhe mesazhi që publikoi në rrjetet sociale ku e quante “një njeri legjendar”. Flamuri kombëtar u ul në gjysmë shtize në nder të tij.

Kirk tërhiqte turma të mëdha, si në rrjetet sociale ashtu edhe në takime fizike

Vrasja e tij është një moment tronditës për politikën amerikane. Ishte i ri, vetëm 31 vjeç, por kishte ndikim shumë të madh. Ishte një lloj influenceri i krahut të djathtë, që arrinte të tërhiqte miliona ndjekës në rrjetet sociale (p.sh. mbi 7.5 milionë në Instagram dhe 7 milionë në TikTok), si dhe me podcast-et e tij, por edhe në ngjarje publike. Një ditë, mund të ishte bërë edhe kandidat për president.

Kirk themeloi Turning Point, një organizatë politike konservatore, në vitin 2012, kur ishte vetëm 18 vjeç. Kjo organizatë u bë pikë referimi për të rinjtë, pjesë e saj janë rreth 250 mijë studentë të shkollave të mesme dhe universiteteve. I riu u bë milioner falë podcast-eve dhe librave të tij, përfshirë edhe librin “Doktrina MAGA”. Vetëm në vitin 2023 kishte mbledhur 92 milionë dollarë përmes donacioneve, dhe kishte shpërndarë para dhe dërguar vullnetarë në shtetet vendimtare, duke filluar nga Arizona, shteti i tij, duke ndihmuar në rizgjedhjen e Trump.

Ishte mik i ngushtë i djalit të presidentit, Don Junior, i cili në një mbrëmje gala të organizuar nga Turning Point për nisjen e mandatit të Trump (ku morën pjesë 1 mijë e 500 të ftuar, me bileta nga 5 mijë deri në 15 mijë dollarë), e kishte përshkruar si “një nga yjet e vërtetë të lëvizjes sonë”. Zëvendëspresidenti J. D. Vance e kishte marrë me vete në Groenlandë. Kirk kishte këshilluar Trump-in për zgjedhjen e ministrave, duke kaluar dy muaj në Florida gjatë periudhës së tranzicionit së bashku me gruan e tij, Erika, vajzën e tyre 3-vjeçare dhe djalin 1-vjeçar.

Së fundmi, ai nuk kishte nguruar të shprehte kritikat e tij ndaj disa republikanëve të ashpër që kërkonin ndërhyrje në Iran apo për mënyrën se si u menaxhua çështja Epstein, por shumë shpejt u rreshtua sërish pas qëndrimeve të Trump.

Kirk në Milwaukee: Republikanët i kanë gjetur Kennedy-t e tyre

Natën e fundit të konventës republikane, verën e kaluar, ne e takuam pranë skenës në Milwaukee, ku sapo ishin shfaqur Trump, Melania dhe e gjithë familja. Kirk i tha gazetës Corriere della Sera se republikanët më në fund kishin gjetur “Kennedy-t e tyre”.

“Këto janë zgjedhjet e TikTok-ut dhe podcast-eve. Në çdo cikël zgjedhor kuptojmë se si njerëzit marrin lajmet ndryshe. Nga viti 2008 deri në 2012-ën ishin rrjetet sociale, në vitin 2016 në veçanti Twitter dhe Facebook, ndërsa tani ka një ndryshim: të rinjtë shikojnë më pak mediat tradicionale, dhe më shumë podcast-e e intervista të gjata. Dhe mendoj se konservatorët janë më përpara në këtë drejtim. Demokratët po flenë dhe mendojnë se të gjithë shikojnë CNN-in.”, shprehej Kirk.

Kirk tha gjithashtu: “Përpiqem të jem sa më provokues, sepse ajo që më shqetëson më shumë është kur njerëzit bien dakord me ne, por rrinë në shtëpi dhe nuk votojnë.”

Kritikët e tij shpesh e quanin “provokues”. Ndjekësit e vlerësonin për aftësinë që kishte për të debatuar me këdo, sidomos në eventet në universitete, si ai i djeshmi në Utah, ku zhvillohej një aktivitet i quajtur “Ma vërteto që jam gabim” (Prove me wrong), ku ftonte pjesëmarrësit ta kundërshtonin për tema si emigracioni apo aborti.

Në këto debate merrnin pjesë si studentë të majtë ashtu edhe të djathtë, dhe shpesh ato arrinin miliona shikime në TikTok. Por Kirk kishte marrë edhe kërcënime, ndaj kishte gjithmonë roje me vete. Më shumë se 6 mijë e 800 persona kishin firmosur një peticion në change.org për të ndaluar Kirk-un të fliste në atë universitet në Utah.