Ballina Ekonomia Frikësohen eksportuesit/ Domatet e bllokuara në Kroaci, ndalojnë tregtinë pas arrestimeve

Frikësohen eksportuesit/ Domatet e bllokuara në Kroaci, ndalojnë tregtinë pas arrestimeve

18
0

Arrestimi i tre personave pas bllokimit të 8 ton domateve në Kroaci me përmbajtje të lartë të pesticideve ka shkaktuar shqetësim tek eksportuesit në Kutalli e Goriçan të Beratit, të cilët kanë vendosur të ndalojnë përkohësisht tregtinë. Ata kërkojnë ngritjen e laboratorëve shtetërorë për kontrollet e produkteve dhe të ulen tarifat e analizave në pikat e grumbullimit.

Arrestimi një ditë më parë i Mariglen Qorrit, eksportuesit të perimeve i akuzuar për pesticide mbi normën, ka nxitur frikën e fermerëve dhe grumbulluesve në fshatrat Kutalli e Goriçan në Berat. Të shqetësuar se mund të kenë të njëjtin fat, disa eksportues vendosën të ndalojnë përkohësisht eksportin e prodhimeve bujqësore.

Njëri prej tyre, Tiljano Hasko, tregon se në magazinat e tyre vijnë çdo ditë mbi 50-60 fermerë me lloje të ndryshme perimesh, ndërsa çdo natë nisen nga 12-13 trailera me mall.

“Në qoftë se ne do bëjmë analizat për 60-70 fermerë kjo është e pamundur, më mirë të mbyllim eksportin dhe të ikim në kurbet. Rasti i kolegut tonë që është sot në burg ne na ka trembur shumë sepse si mua janë 50-60 eksportues dhe kemi frikë të eksportojmë. Unë sot kam për të eksportuar në Bullgari dhe kam shumë frikë ta çoj”.

Tiljano Hasko shprehet se përgjegjësia për situatën bie mbi shtetin, i cili, sipas tij, nuk ka ngritur laboratorë modernë dhe nuk garanton mbrojtjen as të fermerëve, e as të eksportuesve shqiptarë.

“Ne kërkojmë siguri nga shteti pasi ne jemi në duart e shtetit sepse unë nuk e di se me çfarë mund ta bëj spërkatjen fermeri. Ne si pika grumbullimi kontrollojmë mallin vetëm për cilësinë dhe në qoftë se malli ka cilësi e nisim, ne nuk e dimë se çfarë ka domatja apo speca brenda, ne analizat na dalin shumë mirë. Ne shteti na kërkon t’i bëjmë analizat 1 herë në 6 muaj në Itali, analiza që kushtojnë 240 mijë lekë dhe ne eksportuesit nuk kemi asnjë faj”.

Në të njëjtën linjë është edhe fermeri Admir Dervishi, i cili shpjegon se problemi nis që në fillim të zinxhirit të prodhimit.

“Shteti duhet të ngrejë laboratorë shtetëror në Lushnje dhe Berat ku janë pikat më të mëdha të prodhimit dhe grumbullimit) dhe të vëri një tarifë shtetërore të përballueshme, ku fermeri të bëj analizat e produktit të tij, pasi s’ka punë grumbulluesi të bëjë analizat e mia”.

Situata ka marrë përmasa më të mëdha pas arrestimit të tre personave me urdhër të Prokurorisë së Beratit, pasi Kroacia bllokoi rreth 8 ton domate shqiptare me përmbajtje të lartë të preparatit të ndaluar “Chlorfenapyr”.

Në pranga u vendos pronari i kompanisë eksportuese “Era Fruit”, Mariglen Qorri 40 vjeç, si dhe dy inspektorë të AKU-së së Beratit, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani, 27 dhe 25 vjeç. Eksportuesit paralajmërojnë se bllokimi i eksportit do të vijojë derisa të ketë një reagim të qartë nga institucionet përgjegjëse.