Ballina Politika “Kaligula i Tiranës që shkarkon Veliajn dhe emëron ‘Diellën’ ministre”

“Kaligula i Tiranës që shkarkon Veliajn dhe emëron ‘Diellën’ ministre”

29
0

Analisti politik Roland Bejko ka reaguar pas vendimit të Edi Ramës për të propozuar shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe për emërimet e reja në kabinetin qeveritar. Në një koment të gjatë, ai e krahason Ramën me perandorin romak Kaligula, duke ironizuar zgjedhjet politike dhe duke theksuar shkeljen e ligjit për vetëqeverisjen vendore.

“Diella si ministre në kabinetin qeveritar duket shumë gjetje e bukur nga Edi Rama. 

Me këtë rast Rama më ngjan fiks si Kaligula në Romën e lashtë që emëroi Kalin e vet si konsull të Romës duke i bërë senatorët dhe gjithë qytetarët e saj t’i përuleshin atij me nderimet më të thella.
 Madie kalit, Kaligula i ngriti edhe një pallat mbretëror, duke e trajtuar si bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë. Kush guxonte të mos e respektonte Kalin, apo të mërmëriste qoftë edhe një fjalë, i ikte koka në vend. 

Nuk e dimë nëse do ketë ndonjë nen të veçantë në kodin e ri penal që pritet të miratohet që të parashikojë dënim me burg apo me punë në komunitet për këdo që do guxojë të përgojojë ministren e re teknologjike me emrin Diella. Të presim e të shikojmë.

Ps. Që Erion Veliaj meriton të mos jetë kryetar i Bashkisë Tiranë, kjo dihet me kohë e me vakt. 
Por shkarkimi i tij sot nga Edi Rama në një mbledhje partie, është plotësisht në shkelje të plotë të ligjit për vetqeverisjen vendore i cili parashikon rastet dhe mënyrën kur, si, dhe nga kush shkarkohet një kryetar bashkie: 
1. Kur dënohet me vendim të formës së prerë. 2.  Me kërkesë të këshillit bashkiak drejtuar këshillit të ministrave  kur ai nuk paraqitet në punë pa arsye për tre muaj. 
3. Nga Këshilli i Ministrave kur ai ka bërë shkelje të rënda në detyrë. 

Kështu që vendimi i Ramës nëse zbatohet apriori, është vendim i atakueshëm ligjërisht nga palët e interesuara. 

Pra, Veliajn në këtë rast nuk e ka shkarkuar ligji, por Maliqi me vullnetin e tij. Dmth e ka shkarkuar Kaligula. Kjo praktikë është jo evropiane dhe në kundërshtim të kartës evropiane të autonomisë vendore të Këshillit të Evropës e cila mbron dhe promovon demokracinë vendore.” – shkruan Bejko.