Ballina Kronika “Këta qentë morën 200 mijë euro” – Rrëfimi tronditës për prokurorët e...

“Këta qentë morën 200 mijë euro” – Rrëfimi tronditës për prokurorët e korruptuar: Shefi i policisë zhduku armën e vrasjes së Ervis Dedës

42
0

Vrasja e parë e Nuredin Dumanit nuk ishte një akt i rastësishëm, por një kërkesë nga një personazh me reputacion në qytetin e Durrësit.

Festim Qoli i kërkoi eliminimin e Fatmira Dedjas, gruan e cila u kthye në rrezik ndaj vrasësit të djalit të saj, duke trokitur me forcë tek institucionet shtetërore për të denoncuar Qolin. Ajo kërkonte drejtësi për djalin e saj, Elvis Dedjen, i ekzekutuar në 2012 në një atentat.

“Ishim duke bërë palestër një ditë, edhe më tha: “O kusho, kam hall të madh me atë plakën”. Plaka pak kohë më parë i kishte shkuar ke karburanti edhe e kishte delendis, ishte edhe Petrit Qoli aty, e ja kish thënë në sy: “më vratë djalin ju vraftë zoti, edhe i kishte sharë me rob shpie. Ajo po interesohej që paguante deri në 800 mijë euro, që të arrestohej Festim Qoli. pasi doli nga gjendja e kërkimit, ajo u angazhua më shumë. Festa  i druhej kësaj gjëje”

Fatmira nuk u tremb nga kërcënimet. Ajo bërtiste me zë të lartë në zyrat e institucioneve ligjzbatuese emrin e Festim Qolit, si vrasësin e djalit të saj. Ajo kishte sfiduar një rrjet të thellë korrupsioni që shtrihej nga prokuroria deri te policia lokale.

“Festimi më tha, pak më mbrapa që i kishin marrë 200 mijë euro këto, biles ma tha kështu: “Këto qentë, më morën 200 mijë euro për ta mbyll atë historinë e atij”, Prokuroria: A ju tha se kush ishin këto qentë…

Dumani: Po…Prokurorët….. (të qeshuraaaa) e kishte mbyll çështjen, se çështja ishte në prokurori, prandaj ma referon për prokurorinë ai mua…”

Kërkesa për të vënë përpara drejtësisë ish ortakun e djalit të saj të vrarë, nuk kaloi pa pasoja. Festim Qoli, një emër që kishte pushtet në rrugët e Durrësit, e konsideroi Fatmirën një rrezik të madh. Në botën e tij, ajo ishte goja e fundit që mund të fliste lirshëm për vrasjen e Elvis Dedjes dhe për lidhjet që e mbulonin këtë akt kriminal. Eliminimi i saj u bë një domosdoshmëri për një mendje të ftohtë të botës së errët.

“Kam shkuar në Elbasan kam takuar Talo Çelën, e kam takuar ke lokali vet. I tregova muhabetin, këtu – këtu kam fol me Festimin…. Festimi më pat thënë mua përpara se të nisesha: “O kusho një 40 mijë eurosh i jap se s’kam, më kanë gri këto të Durrësit, i referoheshe prokurorisë dhe policisë. Vetëm ta mbarojmë si hall, çke se do punojmë bashkë do të ndihmoj. I thashë Talo Çelës që 30 mijë euro jep ai, ndërkohë që Festimi tha 40.”

Rrëfimi tronditës i Dumanit: Shefi i policisë zhduku armën e vrasjes së Ervis Dedës

Nuredin Dumani rrëfen se Festim Qoli i ka treguar me detaje për vrasjen e ish-ortakut Ervis Dedja. Ngjarja kishte ndodhur një vit para se të urdhëronte ekzekutimin e Fatmirës. Festimi i tregoi Nuredinit me hollësi të ftohtë çdo detaj të vrasjes së Ervisit. Sipas rrëfimit të pentitos së drejtësisë, i kishte thënë që eliminimi i mamasë së viktimës ishte e vetmja rrugë për të mbijetuar.

“Ditën e ngjarjes që kishte ndodh vrasja e Ervis Dedjes, kishte qenë me shtetasin Henrik Hoxha. Pa shkuar te ngjarja disa orë më përpara kishin qenë duke pirë në një lokal në kënetë të Durrësit, i themi ne. Aty shesin mish të pjek, edhe pinë raki. Si pijedashës që janë këto, shkoshin gjithmonë aty, edhe në pije e sipër vendosin që të niseshin sot për sot, për ta bërë atë. Doli për ta bërë atë ditë se kishte edhe një shokun e vet Festim Qoli, që ishte me Ervis Dedën.”

Bashkë me Henrik Hoxhën u nisën drejt garazhit të Agim Gjinit, ku kishte fshehur një fuoristradë me targa të Kosovës. Mjeti ishte vjedhur për raste të tilla. Pa humbur kohë nisen drejt lokalit ku ndodhej objektivi. Në zonën mes Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit.

Dedja sapo kishte hipur në makinën e tij kur u qëllua me armë “Scorpions”, nga Henrik Hoxha dhe Festim Qoli. I pari qëlloi për interes parash, i dyti nga mllefi që kishte për viktimën.

“Pasi e vranë, kanë shkuar kanë djegur makinën në Kodër Arapaj. Aty është djeg Festimi, sepse ka derdh shumë benzinë edhe nuk ka marrë flakë direkt. Ai ka shkuar afër edhe ajo krijon vakum kur derdh shumë benzinë, krijon si tip presioni të fortë, dhe e ka djeg në surrat komplet, i ka djegur edhe vetullat”

“Për të pasur një zbardhje sa më të plotë të ngjarjes, padiskutim që bashkëpunëtori duhet të tregojë edhe prova ose burimin e provave. Megjithatë, për shkak të zhvillimit që ka kriminaliteti sot, mos lëri gjurmë, prova, apo të mundohet ti fshij, apo ti transformojë ato, padiskutim që edhe krimi sot është sofistikuar.”u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog

“Së pari duhet të kemi parasysh rrethanat kur kryhet krimi i parë, a ka ardhur kryerja e krimit të parë si pasojë e një strategjie mbijetese, a është kryer ky krim si pasojë e nevojës për të gjeneruar më shumë para, apo ka qenë motivi kryesor nevoja për kontroll edhe pushtet brënda strukturave kriminale’ u shpreh Almeida Xhaferi, psikologe.

Për këtë ngjarje, Henrik Hoxha është paguar me 100 mijë euro. Nuredin Dumani jep një dëshmi tronditëse. Sipas tij, një funksionar i lartë i policisë së Durrësit në atë kohë, ka marrë armën e përdorur në vrasjen e Dedjas dhe e ka zhdukur.

“Ka shkuar shefi policisë me marrë armën që e kishin hedh këto, ke rruga dytësore ke “Shkëmbi Kavajës”. Pra, një e kishin hedhur 20-30 metër para, në ferrë. Tjetrën e kishin hedhur tek mbeturinat, se nuk kishin ndaluar fare, ishin në ecje. Nazmiu, kishte gjetur vetëm armën që ishte afër plehrave. Ka qenë bashkë me një person tjetër, por unë nuk e di kush është ai personi tjetër. E kanë hedhur armën afër lagjes time. Është një kanal i ujrave të zeza aty. Festa ka qenë shumë i shqetësuar për atë armën aty, saqë kur u pastrua kanali kemi ndenjur aty, se mos dali arma ta marrin.”

Edhe pse Ervis Dedja nuk ishte më, Qoli e kuptoi se llogaritë nuk ishin mbyllur ende…. Për të, Fatmira Dedja nuk ishte më thjesht një nënë që kërkonte drejtësi. Ajo ishte kthyer në një kërcënim real. Dumani tregon se vrasja u përshpejtua për tu realizuar gjatë periudhës së rrotacionit politik.

“Festa e vendosi, dhe ne e vendosëm që do ta bëjm shpejt. Më tha mua: Kusho, dëgjo, më dha kapar, nuk e mbaj mend 10 a 15 mijë euro, e më tha unë do iki jashtë shtetit që të mos merret vesh që e kam bërë unë. Ta bëjmë përpara  se është kohë zgjedhjesh, edhe do ndërrohen këto shefat e komisariateve, do ndërrohen këto prokurorët e gjyqtarët, e është rrëmujë, ta bëjmë sa më shpejt. Ishte fjala përpara shtatorit, sepse atëherë ndërroheshin këto… me një fjalë institucionet ndërroheshin ngaqë ishte ndërruar qeveria, kishte hyrë PS-ja në atë kohë…..” (Inside Story)