Ballina Aktualitet Projekti miliona lekë i Rilindjes, Veliera ‘zhytet’ në ujë, hyrja e Durrësit...

Projekti miliona lekë i Rilindjes, Veliera ‘zhytet’ në ujë, hyrja e Durrësit e pakalueshme pas reshjeve!

70
0

Mjaftuan vetëm disa orë reshje të dendura shiu që një nga projektet më të reklamuar të Rilindjes, Veliera në Durrës, të shndërrohet sërish në një simbol të dështimit dhe keqmenaxhimit urban.

Që prej orëve të para të mëngjesit, qyteti i Durrësit është përfshirë nga reshje të forta, të cilat kanë sjellë përmbytje në disa zona, duke bllokuar qarkullimin dhe duke krijuar kaos në hyrje të qytetit.

Një nga banorët e prekur nga përmbytjet rrëfeu situatën e rëndë që kaloi: “Rreth orës 05:30, teksa po nisesha drejt Tiranës, hyra në zonën e përmbytur dhe mendova se do ta kaloja, por mbeta i bllokuar së bashku me familjen në ujë dhe na u desh të dilnim me not. Makina ime është mbytur në ujë që prej orës 05:30. Fillimisht niveli i ujit ishte më i lartë, ndërsa tani ka nisur të ulet. Dëmet janë të mëdha. Kjo makinë është e re dhe ka të gjitha pajisjet elektronike, nuk bëhet më. Taksa i paguajmë rregullisht. Nuk di ku dhe si do të kërkoj drejtësi, në gjyq apo me çfarëdo mënyre tjetër. Lekët nuk i kam gjetur në rrugë. Se si do të zgjidhet, do ta shohim.”

Në 7 dhjetor të vitit 2016 nisën punimet për ndërtimin e Velierës, një projekt i shumëdebatuar dhe kundërshtuar i cili kushtoi mbi 800 milionë lekë. Ai duket se i ka shërbyer më shumë propagandës se sa qytetit, ndërsa infrastruktura përreth tij tregon dështimin total të investimeve të bëra me fondet publike.

Asnjë reagim nuk ka ardhur deri tani nga bashkia apo institucionet përkatëse.

Durrësi, një nga qytetet më të mëdha të vendit dhe portë hyrëse turistike, vijon të përmbytet sa herë bie shi, ndërsa qeveria dhe pushteti lokal vijojnë të justifikohen me “motin e keq”, një alibi që tashmë nuk bind askënd.