Nga Ilir DAKO
Në vend të një tranzicioni institucional, Shqipëria përjetoi një spektakël të zgjatur ku pushteti nuk u kalua, por u rikonfirmua si pronë personale. Kryeministri Edi Rama, pas fitores në zgjedhjet e 11 majit 2025, nuk shpalli një kabinet të ri, por riorganizoi karrocën e tij qeveritare me të njëjtët kuaj, të njëjtën pelë besnike, dhe me të njëjtin kamxhik autokratik. Për tre muaj, shteti u mbajt pezull, administrata u shndërrua në një trup pa frymë, ndërsa qytetarët prisnin shpalljen e eunukëve të rinj që do të firmosnin me vetmohim grabitjet e radhës. Në vend të konsultimeve, u prodhua një kabinet si produkt i një vullneti të vetëm, ku emrat nuk përfaqësojnë politika, por besnikëri. Kjo analizë, e mbështetur në fakte dhe emra konkretë, është një dekompozim i groteskut institucional që po përjeton Shqipëria.
Më në fund kryeministri Rama e publikoi listën e ministrave që do të qeverisë vendin pas fitores së zgjedhjeve të 11 majit. Kuajt e rinj të karrocës qeverisëse të Edi Ramës ishin të njëjtit, me të vetmin ndryshim që u ndërruan vendet. Të vetmit që su prekën, ishte pela Belindë dhe mëzat e saj të veckël Petrit dhe Pirro, të cilët mbajnë ë njëjtën peshë tërheqëse në rrugëtimin e ri qeveritar, gjithë të tjerët ndërruan pozicionet, duke u gostitur nga karrocieri me nga një thes tagji nga lëmi i pushtetit. Karrocieri kryeministër më në fund bëri shpikjen e radhës pasi la pezull për gati 7 muaj administratën, e cila u shkreh nga frika e ndryshimeve dhe u impenjua në fushatën elektorale duke lënë të ngrirë shtetin shqiptar. Nuk mjaftoi bllokimi 6 mujor i tenderimeve, punësimeve dhe financimeve për të vazhduar investimet sipas ligjit elektoral, por duheshin edhe tre muaj të tjerë derisa kryeministri të bënte këtë palo kabinet mediokër dhe abuziv.
Asgjë nuk ndodhi. Ju hodhi lukunisë së qenve, të fundmit e mohikanëve të grupimit G99, duke shkarkuar Erion Velinë dhe Arbian Maznikun, të cilët janë grupi armiqësor i dënuar nga mesia kryeministër. Nga ky moment qeveria e re është një grupim eunukësh, të cilët do të pranojnë me dashuri dhe vetëmohim për firmosjet e grabitjeve të radhës së llokmave të pasurisë kombëtare.
Një risi groteske është përfshirja e “Diella”, një sistem inteligjence artificiale për prokurimet publike, që u prezantua si ministre jo fizike. Kjo lëvizje, në vend që të përfaqësojë inovacion, përforcon narrativën e eunukëve digjitalë që firmosin pa zë dhe pa përgjegjësi.
Në vend të një procesi të hapur dhe të konsultuar me strukturat e Partisë Socialiste, kabineti u formua si produkt i një vullneti të vetëm. Rama nuk zhvilloi asnjë forum, asnjë mbledhje publike, asnjë konsultim me grupet parlamentare. Emrat u shpallën si dekret hyjnor, duke demonstruar se pushteti nuk buron nga partia, por nga autoriteti i “njëshit”.
Kabineti i ri përfshin ministra me dosje të mëparshme, figura të implikuara në skandale, dhe emra që nuk kanë kaluar asnjë proces verifikimi publik. Besfort Lamallari, i emëruar në Ministrinë e Drejtësisë, zëvendëson Ulsi Manjën, i cili do të drejtojë komisionin parlamentar të ligjeve. Elisa Spiropali, e larguar nga drejtimi i Kuvendit, do të drejtojë diplomacinë shqiptare si ministre e Jashtme—një lëvizje që nuk përfaqëson reformë, por rotacion të brendshëm.
Plot tre muaj shteti mbajti frymën dhe priti Mesinë që ti hidhte në treg eunukët ministra, duke ndaluar gjithçka. Në vend të konsultimeve me strukturat e partisë, me forumet dhe ekipet që do të qeveriste, qeveria e re erdhi si produkt autokratik i Edi Ramës, që demonstroi qartë se fuqia e pushteti nuk buron nga forca politike por nga autoriteti i njëshit. Stërzgjatja e formimit qeverisë dhe mungesa e konsultimit, minimalisht me emrat që do të emërohen, prodhuan atë qeveri që pamë. Qeveri të korruptuar, me ministra me dosje dhe figura parlamentare të implikuar në urdhëra vrasjesh.
Në këtë panoramë, qeveria e re nuk është një instrument i shërbimit publik, por një karrocë e stërmbushur me tagji, ku çdo ministër është eunuk i bindur, çdo emërim është shpërblim elektoral, dhe çdo vendim është dekret i një njeriu të vetëm. Shqipëria nuk po qeveriset, por po drejtohet si një karrocë groteske, ku shteti është i ngrirë, qytetari është spektator, dhe pushteti është pronë private, ku karrocierit po i mbarrojnë pikët e patentës./sot