Kabinetin Rama 4, surprizat i ka me pikatore. Spektakli ja ka lënë vendin deja vu-së. Në vend të eksperimenteve të guximshme, kemi riciklim përvoje. Në vend të befasive, kemi një galeri të njohur që lëviz nga një ministri te tjetra si lojtarët e futbollit ditën e fundit të merkatos.
Në listën e veteranëve, Belinda Balluku vijon të jetë “arkitekte” e infrastrukturës dhe energjisë, Mirela Kumbaro kalon nga turizmi në arsim, Elisa Spiropali nga Kuvendi te diplomacia, Petrit Malaj mbetet në financa, Pirro Vengu në mbrojtje, Blendi Gonxhja merr portofolin e bashkuar të kulturës, turizmit dhe sportit, ndërsa Delina Ibrahimaj zhvendoset në ekonominë e re të inovacionit. Përvoja pra është e garantuar.
Por risitë? – një ministre e re në shëndetësi, Evis Sala, Sofjan Jaupaj në mjedis, një emër teknik dhe krejt i ri; Besfort Lamallari në drejtësi, që zë vendin e Ulsi Manjës; Andis Salla, i ardhur nga bashkia e Cërrikut, në bujqësi; Ervin Demo në pushtetin vendor. Dhe kulmi i “risi-ve”: Diella, ministrja e parë artificiale, një inteligjencë artificiale e emëruar për të menaxhuar prokurimet publike. Thënë ndryshe, tenderat ia kalojnë algoritmit. Amin!
Edi Rama foli shkoqur: “kjo është qeveria e përvojës së 12 viteve”. Dhe vërtet, sfidat mbeten po ato të vitit të largët 2013: uji i pijshëm 24 orë, plehrat që digjen, por jo në incineratorë, mjedisi që na afron më shumë me Afrikën sesa me BE-në. Turizmi, flamuri i propagandës, vazhdon të mbytet mes mbetjeve e ujërave të zeza. Diplomacia, që sipas Kryeministrit është “në orë tjetër nga Shqipëria”, nuk bind askënd, ndoshta për shkak për 12 vite e kanë drejtuar socialistët, jo alienët.
Në frontin e brendshëm politik, Kryeministri dha një mesazh të dyfishtë. Niko Peleshi në krye të Kuvendit shihet si oferta e “paqes” për opozitën – një njeri i qetë që premton dialog institucional. Por në anën tjetër, komandën e grupit parlamentar e mban Taulant Balla, njeriu i konfrontimit, i “luftës” së përditshme në sallë. Mesazhi është i qartë: PS është gati për dialog, por edhe për përplasje. Në thelb, është një kombinim që i jep Ramës luksin të jetë mbi palët, duke i lënë të tjerët të bëjnë rolin e policit të mirë apo policit të keq sipas nevojës së ditës.
Por ambicia e vërtetë nuk u fsheh: Edi Rama e tha pa iu dridhur zëri se sheh PS-në në pushtet deri më 2050, një horizont që tejkalon edhe Enverin (40 vjet në pushtet) dhe shpall garën me Partinë Revolucionare të Meksikës që ndenji në pushtet 71 vite. Opozita, sipas skenarit të tij, duhet të katandiset si në vitin e zi 1997, kur PD mori rezultatin më të ulët historik. Diversioni është bërë konkret prej muajsh: emërime dhe ftesa që demokratët të përfshihen në qeverisje lokale e qendrore. Nuk bëhet fjalë për bashkëqeverisje, (kujto 2017) por për një mënyrë për ta joshur, dobësuar e shpërbërë partinë kryesore të opozitës.
Dhe mbi të gjitha, kryelajmi i pashpallur: Erion Veliaj. Emri i tij nuk u përmend, por zgjidhja ishte aty – shkarkimi nga Këshilli Bashkiak dhe kandidatura e Ogerta Manastirliut. Sepse nëse Veliaj nuk jepte dorëheqjen, zgjedhjet e reja nuk mund të shpalleshin pa kaluar më parë nga Gjykata Kushtetuese – një betejë që ai, më shumë gjasa, do ta fitonte.
Qeveria Rama 4 nuk është qeveria e surprizave, as e eksperimentit. Është qeveria e vazhdimësisë, e një pushteti që synon të zgjatet deri në mesin e shekullit. Dhe pyetja që mbetet pezull: kur premtimet e 2013 ende nuk janë plotësuar, a do të mbijetojë durimi i shqiptarëve deri në 2050? Për këtë siç e tha edhe vetë kryeministri duhet “durim strategjik”!