Ballina Politika ‘Rituali i flijimit’ të bashkëpunëtorëve: Kronologjia e asgjësimit politik të Veliajt dhe...

‘Rituali i flijimit’ të bashkëpunëtorëve: Kronologjia e asgjësimit politik të Veliajt dhe Manjës, në të njëjtën ditë, nga Edi Rama

32
0

“Operacioni i pastrimit” i Ramës është i qartë: kryeministri u kujdes që të mos përmendej emri i tij në dosjet më të rënda korruptive, duke shpikur fajtorin ideal për statistikë – Erion Veliajn. I cili padiskutim që është autor për të gjitha veprat penalë që akuzohet dhe meriton të ndëshkohet, por që nuk është nën akuza për shembull për aferën korruptive të shekullit, inceneratorin e Tiranës.

Kjo tregon se plani asgjesimit të tij ishte i mirëmenduar nga Edi Rama në bashkëpunim me shërbëtorin e tij në krye të SPAK, Altin Dumani.

Ai që dje shitej si i preferuari për pasardhës, sot është vetëm një numër dosjeje, një statistikë për drejtësinë, por që nuk prek kryehajdutin dhe kryearkitektin e vërtetë të vjedhjes me inceneratorin fantazmë.

Sot Erion Veliaj u bë kurban nga Edi Rama, gjë e cila shënoi edhe kurorëzimin e bashkëpunimit të kryeministrit me kreun e SPAK, Altin Dumani, i cili vetëm një ditë më parë mbylli hetimet dhe çoi në gjyq kryebashkiakun.

Sot të gjithë shqiptarët e panë me sytë e tyre se kush urdhëron drejtësinë se kë duhet të hetojë dhe për çfarë duhet ta akuzojë, madje edhe kur duhet të mbyllë hetimet, që të përkojë fiks me axhendën e tij të spektaklit, siç ishte Asambleja e Rilindjes.

Gjatë kësaj skeme të vrasjes politike të ish-beniaminit të tij, Rama përdori gjatë rrugës edhe Ulsi Manjën, si një ‘servis sekret’, e pasi mbaroi punë, e hodhi edhe atë në kosh. Ky është stil i njohur i Ramës: i përdor të vetët si mburoja e tij, dhe kur shihen të dobishëm vetëm për t’u djegur, i flijon pa pikë mëshire.

Në fakt, kjo kronologji nuk është thjesht historia e rrëzimit të Veliajt, por manuali se si Edi Rama përdor njerëzit e tij: i rrit, i ekspozon, i konsumon dhe i hedh. E vetmja gjë që nuk ndryshon është mbijetesa e tij politike, gjithmonë mbi kurrizin e të tjerëve.

Faza e parë – mbajtja në jastëk

Për vite me radhë, Rama e mbajti Veliajn si “djalin e artë” të PS, duke e shitur si modelin e suksesit urban, njeriun e gjelbërimit dhe fasadave. Veliaj ishte gjithmonë në krah të tij, madje shfaqej shpesh si trashëgimtar i mundshëm.

Faza e dytë – futja në grackë

Teksa shpërtheu dosja e inceneratorëve, ku zinxhiri i përgjegjësive shkonte deri në qeveri e kryeministër, Rama u kujdes që drejtësia të shohë vetëm aty ku ai donte. Jo nga maja e piramidës, por nga bashkia e Tiranës. Veliaj u bë “kokë turku” e përsosur për harabelat e Ajolës dhe jo për inceneratorin.

Faza e tretë – përdorimi i Ulsi Manjës

Ministri i Drejtësisë u kthye në “syri dhe veshi” i Ramës për të përgjuar Veliajn. Shumë raporte flisnin për koordinim direkt mes Ramës dhe strukturave hetimore, duke u kujdesur që akuzat të shënjestronin komunikimet e tij nga burgu.
Çdo skandal që mund të përplasej tek Kryeministri, u zhvendos me kujdes tek Veliaj.

Faza e katërt – izolimi politik

Në PS, Veliaj nisi të përjashtohej ngadalë nga rrethet vendimmarrëse. Njerëzit e tij u goditën një nga një. Në publik, Rama e shante nën zë, por e linte drejtësinë të fliste me gjuhën e dosjeve.

Faza e fundit – “rituali i flijimit”

Kulmi erdhi me shkarkimin e Veliajt dhe Ulsi Manjës në të njëjtën ditë. Pasi kreu misionin e tij për të survejuar e rrënuar Veliajn, Manja nuk i duhej më. Me të rënë Manja, ra edhe maska hipokrite e Edi Ramës si regjizos i gjithë këtij skenari. Sot kryebashkiaku është de facto i braktisur nga Rama dhe i lënë nën mëshirën e drejtësisë së komanduar./syri