Ballina Editorial Sa ‘zogj’ vrau sot Edi Rama dhe pse Kuvendi me 101 deputetë...

Sa ‘zogj’ vrau sot Edi Rama dhe pse Kuvendi me 101 deputetë e mban në pushtet deri 2050?

30
0

Nga Kreshnik Spahiu

Edi Rama sot, me një gur vrau disa zogj.

Zogu i parë ishte Erion Veliaj, të cilin, ndryshe nga rasti i Himarës, ku Rama priti vendimin e formës së prerë për të shkarkuar Fredi Belerin, nuk po pret as dorëheqje dhe as ndonjë vendim gjykate. Thjesht, po i këput një shkarkim pa asnjë justifikim formal.

Zogu i dytë ishte Ulsi Manja, që u sakrifikua për të bindur Veliajn – se fajin për trajtimin e keq të burgosurve e kishte ai, prandaj po e largon.

Zogu i tretë ishte Sali Berisha, që si gjithmonë, kapet i papërgatitur. Rama do e përdori sërish si fasadë për të legjitimuar garën në zgjedhjet e parakoheshme të Tiranës. PD e cila ka 2 vjet proteston për zgjedhje të parakoheshme nuk bojkoton dot.

Zogu i katërt ishte tufa e disa ministrave anonimë, të cilët siç hynë, ashtu edhe dolën nga qeveria.

Zogu i pestë që vrau ishte SPAK-u, që nga nesër do duhet të hetojë çdo tender publik, duhet arrestohet “Diella” në internet. Ministrja e re e PPP.

Zogu i gjashtë ishte Kuvendi aktual me 140 deputetë. Rama hodhi idenë e një parlamenti me 101 deputetë dhe ka votat për të ndryshuar Kushtetutën. Me këtë lëvizje, ai synon një riformatim të sistemit politik. Kjo skemë çimenton sistemin dy partiak dhe ndarjen elektorale zonale në favor të PS nga jugu në veri.

Zogu i shtatë ishin partitë e reja. Me sistemin e ri, do duhen mbi 20.000 vota për të nxjerrë një deputet në Tiranë. Kjo do të shkatërrojë çdo shpresë për përfaqësim të alternativave të reja politike.

Zogu i tetë ishte media. E cila, në injorancën e saj, nuk e kuptoi thelbin e lëvizjes. Asnjë gazetar nuk e vuri re skemën që Rama projektoi për të siguruar qeverisjen e Partisë Socialiste deri në vitin 2050.

Rama shfrytëzoi mungesën e vëmendjes publike. Nën zhurmën e emrave të ministrave të rinj, ai hodhi bombën e vërtetë: një kapitull të ri në historinë politike shqiptare.

Projekti i Kuvendit me 101 deputetë e përjetëson pushtetin e Ramës dhe Partisë Socialiste. Përballë, ai ka ringjallur një kufomë politike që e përdor si legjitimim të garës dhe fitoreve. Ndërsa me “formatimin 101” i shkrin dhe i zhduk të gjitha partitë e reja që mund të lindin në të ardhmen.

Mos u merrni me dritaret dhe perdet e qeverisë Rama – shikoni themelet që po ndërton mbi varrezat e kufomave të opozitës së kapur shqiptare.