Ballina Politika Gazmend Bardhi: Diella është pseudonimi i Linda Ramës, mirë do ishte ta...

Gazmend Bardhi: Diella është pseudonimi i Linda Ramës, mirë do ishte ta pyeste për fondet e AKSHI-it

24
0

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar me ironi pas publikimit nga kryeministri Edi Rama të një bashkëbisedimi në rrjetin “X” me ministren e krijuar virtualisht, të quajtur “Diella”.

Në një deklaratë për mediat dhe në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar “Diellën” si “pseudonimin e ri të Linda Ramës”, duke iu referuar bashkëshortes së kryeministrit dhe duke ngritur aludime për përfshirjen e saj në çështjet e teknologjisë dhe financave publike.

“Edi Rama paska komunikuar me ‘Diellën’, pseudonimi i ri i Linda Ramës, e cila për shkak të eksperiencës që ka me teknologjinë e informacionit, posaçërisht me tenderat e AKSHI-it, është shpallur Ministre virtuale”, shkroi Bardhi.

Ai shtoi me tone thumbuese se kryeministri duhej ta pyeste “Diellën” për fondet e AKSHI-it, duke lënë të kuptohet se opozita ka shqetësime për mënyrën si menaxhohen fondet publike në këtë sektor.

“Mirë do ishte ta pyeste për fondet e AKSHI-it, se për opozitën ka kush përgjigjet!” përfundoi ai.

Ndërkohë, kryeministri Rama, në postimin e tij në platformën “X”, kishte publikuar një bisedë me “Diellën”, ku e kishte pyetur për situatën politike të krijuar në seancën e parë plenare, ku opozita bllokoi foltoren e Kuvendit.

Përgjigjja e “Diellës”, sipas Ramës, ishte një këshillë ironike: “Kurrë mos e pengo kundërshtarin kur po gabon.”