Ballina Aktualitet Kujt t’i besojmë? Bilanci i fshehur i pandemisë Covid 19 në Shqipëri

Kujt t’i besojmë? Bilanci i fshehur i pandemisë Covid 19 në Shqipëri

11
0

Ka shumë histori që ia vlen të tregohen për pandeminë e COVID-19. Por, nëse i analizojmë ato, thuajse të gjitha flasin për politikën dhe mënyrën e vendimmarrjes.

Cili autoritet e menaxhoi: qeveria apo komuniteti shkencor i mjekëve? Mbi të gjitha, a kishte transparencë dhe hapësirë për kritika?

Sipas qeverisë u veprua në kohë, shifrat tregojnë për 310 mijë të infektuar dhe 3,625 viktima.

Qeveria thotë se e menaxhoi situatën me sukses. Sipas saj vetëm 11.5% e popullsisë u prek nga virusi dhe 1.2% e të prekurve humbën jetën.

Por çfarë ndodhi përtej këtyre shifrave dhe çfarë thuhet sot për pandeminë?

“Krim dhe ndëshkim” mes bluzave të bardha

Alarmin për COVID-19 në Shqipëri e ndezën lajmet nga Italia. Ishte shkurti 2020. Qindra viktima raportoheshin çdo ditë në vendin fqinj duke nxitur frikë dhe pasiguri.

Shqiptarët ishin shpërqendruar nga kërcënimi i virusit prej traumave që la pas tërmeti i nëntorit 2019. Virusi në fakt përflitej prej së paku katër muajsh nëpër botë.

Ilir Allkja ishte mjek i Urgjencës Lëvizëse në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT). Ai kujton për Citizens.al se fillimisht nisi të tregohej kujdes për rastet që kishin histori udhëtimi nga Italia.

Simptomat ishin të ngjashme me gripin apo ftohjen: temperaturë, rrufë dhe kollë e rënduar. Por thirrjet për ambulancë nisën të fshihnin rastet e dyshimta për COVID-19 me dhimbje barku apo të vjella.

Kur dyshohej për COVID-19, ekipi i urgjencës vishej me veshje mbrojtëse. Për thirrjet e zakonshme ato nuk përdoreshin.

Për javë me radhë, ekipi i doktor Allkjës u përball me raste të rrezikshme infektimi.

Më 9 mars 2020, qeveria konfirmoi zyrtarisht rastin e parë me COVID-19 në Shqipëri.

Allkja kujton të paktën tre raste të dyshimta të një mbrëmje më pas. Qendra e Urgjencave i kishte referuar si probleme reumatologjike, neurologjike dhe gastrointestinale. Por të tre pacientët kishin ardhur nga Italia dhe kishin temperaturë.

“Ishin me ethe, ndërkohë që ishin referuar për shqetësime që nuk kishin lidhje fare me COVID-19,” thotë Allkja teksa tregon se ai dhe ekipi ishin nisur pa veshjet mbrojtëse.

Të nesërmen, më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli infeksionin pandemi globale.

I tronditur nga zhvillimet dhe situata e përsëritur, Allkja tregon se kontaktoi Shefin e Shërbimit në QSUNT dhe drejtuesin e Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore.

“Nuk mora asnjë përgjigje, qoftë dhe një fjalë mbështetëse,” kujton Allkja për Citizens.al. Ai e ruan ende mesazhin e dërguar në telefon.

I kapluar nga lodhja, frika prej infektimit dhe shpërfillja institucionale, mjeku i urgjencave lëvizëse u mbyll në karantinë. Për të dhe kolegët, nuk pati ndihmë psikologjike, pavarësisht stresit dhe dinamikave të jashtëzakonshme në ritmet e punës.

Në këto kushte, Allkja botoi një video në Facebook. Ai apeloi për më shumë kujdes dhe koordinim për masat mbrojtëse. Synimi i tij ishte të ndërgjegjësonte për ruajtjen e jetëve të bluzave të bardha.

“Veshjet vlejnë më pak se jeta jonë,” ishte apeli publik i tij.

Por, në 9 muaj (deri në dhjetor 2020), nga COVID-19 humbën jetën mbi 50 mjekë. Mes tyre dy kolegë të Allkjës.

Në prill, teksa qeveria po shqyrtonte lirimin e masave kufizuese, Allkja drejtoi një apel tjetër.

Ai sugjeroi decentralizimin e trajtimeve përtej QSUNT-së dhe spitalit “Shefqet Ndroqi” duke përfshirë spitalet rajonale.

I mirinformuar nga zhvillimet në vendet e tjera, si Franca, Allkja i drejtoi një letër të hapur qeverisë. Ai këshilloi angazhimin edhe të sistemit të referimit – mjekët e familjeve.

Kjo qasje u përdor nga qeveria vetëm në fund të vitit 2020. Në atë kohë, bilanci zyrtar i pandemisë kishte shkuar në 23,500 raste me rreth 1,200 viktima.

Më 30 dhjetor 2020, Allkja ishte në shërbim kur mori shkresën e pushimit nga puna. Në kulmin e pandemisë, ai u shkarkua pa paralajmërim.

“E prisja pasi isha linçuar publikisht, jo për ndonjë shkelje, por sepse kërkova të shpëtoheshin më shumë jetë,” thotë mjeku.

Qeveria e etiketoi Allkjën “militant të opozitës”. Drejtoria e arsyetoi pushimin me shkelje etike në qëndrimet publike që ai kishte mbajtur.

Sot Allkja punon në një spital privat. Sipas tij, propaganda politike kufizoi dhe instrumentalizoi profesionistët e shëndetësisë.

“Patën paturpësinë të bënin edhe koncerte nëpër spitale,” shton Allkja duke e cilësuar periudhë tejet frustruese.

Amulli dhe shmangie informacioni

Gjatë pandemisë isha gazetar në Euronews Albania. Në tetorit 2020, zëvendësministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli, ishte e ftuar në emisionin e Ilva Tares.

Media kishte shtatë muaj që vinte në diskutim bilancin zyrtar të pandemisë. Qeveria raportonte vetëm vdekjet spitalore si raste të konfirmuara me COVID-19.

I sugjerova drejtueses së informacionit që ta pyeste zëvendësministren pikërisht për këtë çështje. A kishte qeveria të dhëna edhe për vdekjet jospitalore dhe a mund t’i bënte ato publike.

“Po të mi kishit dhënë pyetjet para, do të kisha ardhur [me të dhënat]…” tha Rakacolli.

“Pa diskutim që, po!” shtoi si përgjigje nëse shifrat mund të jepeshin pas një kërkese për informim.

Kërkesa u dërgua, por përgjigja nuk erdhi kurrë. Pesë vite më pas bilanci i pandemisë së COVID-19 nuk është rishikuar, ose së paku nuk publikohet.

Përkundrazi. Faqja zyrtare që dikur mbante shifrat e pandemisë është zeruar nga informacioni. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) të adreson te Ministria e Shëndetësisë.

Në vend të një pasqyre të plotë, zyrtarisht jepen vetëm përgjigje të pjesshme. Ministria tha për Citizens.al se emergjenca kombëtare “përfundoi më 5 maj 2023”.

Këtë nuk e mbështeti me asnjë vendim qeverie, apo urdhër, por me një link të faqes kryesore të OBSH-së. Në këtë mënyrë duket se Shqipëria nuk ka një datë zyrtare se kur doli nga pandemia e koronavirusit.

Si bilanc përfundimtar ministria dha raportin ditor të datës 25 prill 2023 me 310,536 të infektuar dhe 3,625 të vdekur.

Pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, ISHP tha se “është hequr vetëm emergjenca” dhe se “pandemia vazhdon”. Sipas ISHP, analizat përfundimtare do të bëhen “në përfundim të pandemisë”.

Ndërkohë, ministria pranoi 32 viktima nga radhët e bluzave të bardha mes të cilëve katër infermierë. Por kjo nuk përputhet me të dhënat nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë. Për Citizens.al ai foli për 59 mjekë të vdekur gjatë pandemisë.

Bilanci “i fshehur” i vdekjeve

Përpara pandemisë, në Shqipëri, çdo vit humbnin jetën 21,000-21,500 persona. Një mesatare shumëvjeçare, me prirje rritëse që lidhej kryesisht me plakjen e popullsisë.

Por gjatë pandemisë, vdekjet e regjistruara tejkaluan ndjeshëm këtë raport. Prirja kapërceu mesataren dhe prodhoi një bilanc lufte që ende nuk është arsyetuar nga autoritetet shqiptare.

Sipas INSTAT, në 2020, në Shqipëri u shënuan 27,605 vdekje. Viti i parë i pandemisë regjistroi 25.8% më shumë fatalitete se viti 2019.

Në 2021 pati 30,507 vdekje – 10.5% më shumë se 2020. Një vit më vonë, 23,998 vdekje – 21.3% më pak. Ndërsa në 2023 shifrat u kthyen te mesatarja shumëvjeçare (21,286 vdekje, 11.3% më pak se 2022).

Në total, gjatë tre vite e gjysmë pandemi Shqipëria vuajti mbi 17,500 vdekje se periudha normale. Kjo ngre dyshimin se fatalitetet lidhen direkt, ose indirekt me pasojat e COVID-19.

Megjithatë, qeveria njeh vetëm 3,625 vdekje nga koronavirusi, rreth 5 herë më pak se kjo valë vdekjesh. Shifra është vetëm për periudhën mars 2020-prill 2023, e cila u konfirmua edhe nga ministria edhe nga ISHP.

Me gjasë, testimet e pakta ndikuan që jo të gjitha vdekjet të përfshiheshin në bilancin zyrtar. Vdekja llogaritej e shkaktuar nga COVID-19 vetëm nëse: viktima rezultonte pozitiv në teste dhe pasqyrohej në aktin mortor.

Gjatë gjithë pandemisë, qeveria u kritikua për mungesë transparence dhe testime të ulëta.

Deri më 16 prill 2023, ishin kryer 2,052,830 teste. Mesatarja e përgjithshme ishte 1,808 teste në ditë – me mbulim 664 teste çdo 1,000 banorë.

Për krahasim, në qershor 2022, shtete si Serbia, apo Maqedonia e Veriut kishin si mbulim 986 deri 1,434 teste për 1,000 banorë çdo ditë.

Me më pak testime, Shqipëria pati më pak raste të konfirmuara. Për rrjedhojë, më pak vdekje të raportuara prej COVID-19.

Të dhëna të tjera nga INSTAT e mbështesin këtë ide. Për shembull, vdekjet nga sëmundjet e frymëmarrjes u rritën ndjeshëm gjatë pandemisë.

Zakonisht, më parë, ato varionin në shifrat 500-700 vdekje në vit. Gjatë tre viteve pandemike u raportuan si total 6,878 vdekje nga këto sëmundje – 3,233 vetëm në vitin 2022.

Kjo sugjeron se shumë nga këto vdekje mund të kenë pasur lidhje me COVID-19 – infeksion, i cili godiste rrugët e frymëmarrjes. Ato mund të mos jenë klasifikuar si vdekje nga koronavirusi për mungesë të testimeve.

Këto të dhëna tregojnë nevojën për analizë të thelluar. Bilanci zyrtar i pandemisë në Shqipëri duhet rishikuar. Mijëra vdekje nuk mund të fshihen për efekt propagande.

Nevoja për reforma dhe reflektim

Pesë vite pas shpërthimit të pandemisë, kritikat për menaxhimin e saj mbeten.

Taulant Muka, mjek epidemiolog, gjatë pandemisë, punonte në një universitet në Zvicër. Si studiues, ai sjell një këndvështrim të dyfishtë: nga brenda akademisë dhe jashtë sistemit shëndetësor shqiptar.

Sipas tij qeveria aplikoi një qasje krejtësisht politike dhe jo shkencore në menaxhimin e situatës. Muka beson se ajo madje e përkeqësoi gjendjen.

“Komisioni qeveritar la jashtë ekspertët shkencorë, të cilët mund të kishin ofruar udhëzime më efektive,” thotë ai.

Sipas Mukës, masat ishin të pakoordinuara dhe shpesh tragjikomike, kryesisht të huazuara nga vendet e tjera.

“Në Tiranë u nxorën tanket për të luftuar virusin,” kujton ai bashkë me udhëzimet absurde për udhëtime “diagonal” në taksi.

Sipas Mukës, këto vendime treguan mungesë totale të udhëheqjes shkencore.

Në nisje të pandemisë, ai kishte kryer projeksione të pavarura të bilancit që rrezikonte Shqipëria. Një prej skenarëve të tij parashikonte 16-18 mijë vdekje shtesë.

“Fatkeqësisht, këto parashikime u konfirmuan,” thotë për Citizens.al. Të dhënat e shqyrtuara më lart nga raportimet e INSTAT duket se e mbështesin këtë tezë.

“Masat e qeverisë nuk patën ndikim të matshëm në reduktimin e vdekshmërisë.” thekson Muka.

Ai kritikon edhe përqendrimin e trajtimit vetëm në Spitalin Infektiv. Sipas tij, kjo strategji u përdor më shumë për kontroll informacioni, se sa përkujdesje shëndetësore.

Muka thotë se Shqipëria vuajti edhe nga mungesa e kapaciteteve shkencore. Universitetet nuk prodhuan të dhëna apo analiza që mund të ndihmonin qeverinë në menaxhimin e krizës. Ndërsa akademikët u përfshinë në propagandë politike.

Ky pretendim duket se u konfirmua nga Universiteti i Mjekësisë. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike tha për Citizens.al se deri në prill 2025 realizoi vetëm katër punime shkencore.

Një prej punimeve trajtonte ndikimet e mundshme të virusit te pacientët me diabet. Të tjerat, botime të vitit 2020-2022, përqendroheshin te pasojat në shëndetin mendor të stafit mjekësor.

Ndërkohë, mungesa e kontrolleve dhe protokolleve të qarta mjekësore solli pasoja.

Muka përmend përdorimin në masë të pakontrolluar të antibiotikëve dhe kthimin e klinikave dhe farmacive si tregje pa rregulla. Kjo, sipas tij, krijoi një skenar të rrezikshëm për xhepat dhe shëndetin e qytetarëve.

Për të ardhmen, Muka ndan bindjen se nevojitet hulumtim i thelluar shkencor dhe institucional për menaxhimin e pandemisë. Ai thotë se është e rëndësishme që të shqyrtohen evidencat mbi të cilat u bazuan masat e marra.

“Ministria e Shëndetësisë duhet të mbajë përgjegjësi për vdekjet shtesë,” thekson Muka. Sipas tij Shqipëria u rendit ndër vendet me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në Evropë gjatë pandemisë.

“Pa reflektim të sinqertë dhe reforma të thella, sidomos në arsim të lartë, do mbetemi të papërgatitur për sfidat e ardhshme,” përfundon ai./ Citizens Channel