Vetëm 24 orë pas hapjes së regjistrimeve për shortin ‘Visa Presale’ për Kupën e Botës FIFA 2026, interesi ka qenë i jashtëzakonshëm. FIFA ka njoftuar se mbi 1.5 milion tifozë nga 210 shtete të ndryshme janë regjistruar për të qenë pjesë e kësaj faze të parë të shitjes së biletave.
Kërkesa më e madhe deri tani ka ardhur nga tifozët e vendeve organizatore (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanadaja), të ndjekur nga ata të Argjentinës, Kolumbisë, Brazilit, Anglisë, Spanjës, Portugalisë dhe Gjermanisë.
“Numri i lartë i regjistrimeve tregon entuziazmin e madh që ngjall Kupa e Botës 2026 dhe rëndësinë historike që ajo ka për futbollin,” – tha Heimo Schirgi, drejtues operativ i FIFA World Cup 26.
Procesi i shortit ‘Visa Presale Draw’ është faza e parë e shpërndarjes së biletave. Koha kur një tifoz regjistrohet gjatë kësaj periudhe nuk ndikon në mundësinë e përzgjedhjes, ndaj aplikimet janë të hapura deri më 19 shtator, ora 17:00.
Fituesit do të njoftohen me e-mail duke nisur nga 29 shtatori dhe do të marrin një datë e orar të caktuar për të blerë biletat, duke filluar nga 1 tetori.
Çmimet e biletave për ndeshjet e fazës së grupeve nisin nga 60 dollarë, ndërsa në shitjen fillestare do të jenë të disponueshme biletat për të gjitha (104) ndeshjet, për stadiume të caktuara apo për skuadra të veçanta. Faza të tjera të shitjes së biletave do të hapen gjatë muajit tetor.