Ballina Kosovë Presidentja Vjosa Osmani akuzohet për manipulim të opinionit publik

Presidentja Vjosa Osmani akuzohet për manipulim të opinionit publik

16
0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po akuzohet se ka përdorur privilegjet e shtetit për familjen e saj. Fillimisht, ajo i largoi fëmijët nga shkolla publike, duke i regjistruar në shkollë private me arsyetimin se në shkollat publike mungon ngrohja, kanalizimi dhe kushtet elementare. Megjithatë, si Presidente, ajo nuk reagoi asnjëherë për përmirësimin e gjendjes së arsimit publik, duke i lënë fëmijët e tjerë në ato kushte.

Denoncimi i parë erdhi nga gazeta Paparaci, e cila zbuloi se vajzat e Osmanit po dërgoheshin në shkollë private me vetura të blinduara të shtetit dhe të shoqëruara nga sigurimi i afërt. Pas publikimit, një gazetar i Paparacit u arrestua, gjë që shkaktoi reagime të ashpra.

Presidentja Osmani reagoi duke thënë se iu cenua privatësia e fëmijëve të saj dhe akuzoi disa media se janë të paguara nga Serbia, me qëllim për ta linçuar familjen e saj.

Por pronari i Paparacit, Vehbi Kajtazi, iu kundërpërgjigj ashpër:

“Ky pushtet po e keqpërdor policinë, AKI-në dhe institucionet sipas tekeve. Në vend se të japin llogari pse arsimi publik është në gjendje të mjerueshme, Osmani dhe Kurti i përdorin institucionet për të sulmuar gazetarët. Përdorimi i AKI-së si mjet shantazhi është model i regjimeve diktatoriale, jo i demokracive.”

Debati mbetet i hapur, ndërsa shoqëria civile kërkon transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet shtetërore.