Në ambientet e Bashkisë Mallakastër u prezantua drafti i parë i Planit të Konservimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit, që përfshin qytetet antike Bylis dhe Klos, një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes afatgjatë të trashëgimisë kulturore të rajonit.
Parku Arkeologjik i Bylisit është pasuri të rrallë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë. Bylis është i ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës, me mure monumentale të shekullit IV para Krishtit, me një teatër mbresëlënës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane.
Ky projekt financohet nga Programi i Bashkimit Evropian EU-IPA II për Shqipërinë, në kuadër të nismës “EU for Economic Development – Tourism-led, Local, Economic Development, with a focus on Cultural Heritage”, me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) si agjenci zbatuese.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, drejtoresha e IKTK-së, Joli Mitrojorgji, drejtoresha e Parkut, Ornela Durmishi, si dhe kspertë të fushës, përfaqësues të komunitetit dhe bizneseve lokale.
Qëllimi kryesor i takimit ishte prezantimi i punës së kryer deri më tani nga ekspertët dhe nxitja e një diskutimi të hapur me të gjithë pjesëmarrësit mbi konservimin e monumenteve në park.
Kryetari i Bashkisë, Qerim Ismailaj, dhe Ilir Parangoni, bashkë me Prof. Neritan Cekan prezantuan punën e bërë deri tani në këtë drejtim për ruajtjen afatgjatë dhe promovimin e monumenteve të Bylisit. Ndërsa specialistët për mozaikët, Agron Islami, Berbis Islami dhe Genc Metohu, u ndalën në perspektivën mbi turizmin dhe zhvillimin komunitar.
Më pas, Joli Mitrojorgji, drejtoreshë e IKTK-së, vlerësoi programin dhe rëndësinë që po merr siti, duke theksuar bashkëpunimin mes IKTK-së, MEKI-t dhe AICS-it. Ajo foli mbi procesin e dhënies së sugjerimeve nga IKTK për draftin e parë dhe falënderoi ekspertët për kontributin e dhënë.
Mitrojorgji gjithashtu vlerësoi punën e kryer ndër vite nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga profesorët e nderuar, duke siguruar angazhimin e institucionit që ajo përfaqëson për bashkëpunimin në vazhdim të këtij projekti.
Një pjesë e veçantë e takimit ishte dialogu i hapur me banorët e zonës, të cilët ndanë sugjerime dhe ide mbi përfshirjen e komunitetit në menaxhimin e parkut dhe mbrojtjen e trashëgimisë.
Drafti i Planit të Konservimit është dorëzuar zyrtarisht në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), ndërkohë që sugjerimet e ekspertëve dhe të komunitetit do të integrohen në versionin final, i cili pritet të dorëzohet për miratim në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) brenda fundit të shtatorit 2025. /atsh/