Nga Reldar Dedaj
Në shkurt 2025, Konferenca e Sigurisë në Mynih solli një episod që, për sytë shqiptarë, kaloi si një kronikë periferike, por në gjuhën e diplomacisë ishte një akt me kuptim të thellë. Kryeministri Edi Rama, i cili për dymbëdhjetë vjet ka shitur imazhin e vet si më proamerikani i Ballkanit, u gjend papritur i vetëm: asnjë takim me zv. presidentin e Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, asnjë shtrëngim duarsh, asnjë fotografi që të mbyllte boshllëkun e protokollit.
Në skenën e madhe të Mynihut, ku liderët prisnin të matin peshën e tyre, Shqipëria u shfaq si një trup i braktisur në margjinë. Në sallën e madhe, të mbushur me drita dhe plot gazetarë nga e gjithë bota, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, çdo orë që kalonte i dukej se zgjatej pafund. Nuk kishte asnjë zë që ta shqetësonte, nuk kishte asnjë shenjë që të shpresonte; vetëm llamburisja e dritave mbante shoqëri me të.
Kjo nuk është thjesht një rastësi. Është një shenjë. Është një dritë që fiket ngadalë, pa trokitje, pa britma, por me heshtjen e rëndë të atyre që dikur ishin më pranë. Shqipëria, e ndërtuar mbi mitin e mbështetjes amerikane, e sheh tani këtë mit të shformohet si një statujë e ngritur në rërë. Dhe Rama, që për vite ka pozuar nën krahët e ambasadorëve dhe sekretarëve të shtetit, ndjeu për herë të parë ftohtësinë e asaj hapësire ku askush nuk të fton.
Qeveria amerikane ka zgjedhur heshtjen si gjuhën e saj; një heshtje e gjatë dhe e rëndë, që shmang takimet, përqafimet dhe fotografitë që dikur vulosnin aleancën. Në këtë boshllëk diplomatik, Rama nuk është më fytyra e besueshme e Shqipërisë, por arkitekti i një sistemi që e ka shndërruar vendin në objekt dyshimi. Politikat e tij, klientelizmi i brendshëm, paaftësia për të kontrolluar rrjetet kriminale dhe trafikun e drogës kanë krijuar një vakum besimi, ku Perëndimi sheh më shumë rrezik sesa siguri.
Një vit më parë, panorama ishte krejt tjetër. Më 15 shkurt 2024, Antony Blinken zbriti në Tiranë. U prit me himne dhe ceremoni, u përqafua si shenjë e përjetësisë së aleancës. Mesazhi i administratës Biden ishte i qartë: Shqipëria shihej si partner i qëndrueshëm, ndërsa Rama si fytyra e vetme për të folur në emër të saj. Ishte një privilegj i përdorur me mjeshtëri nga propaganda qeveritare, që e ktheu vizitën në një vulë legjitimiteti.
Por ky imazh ishte i gënjeshtërt dhe i ndërtuar mbi bazën e një kontrolli të dobët institucional. Trafiku i drogës, që lulëzonte nën hundën e qeverisë, e ktheu Shqipërinë në një pikë kyçe tranziti. Rrjetet kriminale funksiononin pa pengesa reale, ndërkohë që propaganda mbulonte boshllëkun. Rama, arkitekti kryesor i këtij sistemi, ka krijuar vetë terrenin ku aleatët ndërkombëtarë shohin dyshime dhe rrezik. Heshtja e Mynihut nuk është rastësi; ajo është pasojë e veprimeve të tij.
Pas zgjedhjeve parlamentare, Departamenti i Shtetit u mjaftua me dy rreshta urimi. Nuk pati lavdërime për stabilitetin, as mirënjohje për “aleatin e besueshëm”. Vetëm një tekst minimalist, që lexuar në gjuhën e diplomacisë, tingëllon si akt akuzë. Dhe prej atij momenti, zinxhiri i ftohtësisë filloi: së pari urimi i thatë, më pas heshtja e Washingtonit dhe, deri tek refuzimi i një takimi në Mynih.
Në këtë heshtje fshihet një paralajmërim i rëndësishëm: izolimi i Shqipërisë është pasojë direkte e zgjedhjeve dhe praktikave të Ramës. Një vend që për vite ka jetuar mbi iluzionin e aleancës së pakushtëzuar, sot ndodhet i vetmuar, jo për faj të fqinjëve apo fatit, por për faj të tij. Trafiku i drogës, boshllëku institucional, kultivimi i klientelizmit politik; të gjitha këto janë zgjedhjet e një arkitekti që ka vendosur interesin personal mbi interesin kombëtar.
Në letërsinë e realizmit socialist, izolimi merr shpesh trajtën e absurdit: qytete që besojnë se janë të pavdekshme, udhëheqës që shohin armiq të padukshëm. Në Shqipërinë e sotme, absurdi shfaqet ndryshe: një qeveri që shpall veten si e vetmja portë drejt Perëndimit, ndërkohë që vetë Perëndimi e sheh me dyshim, e mban në distancë, e izolon në heshtje. Dhe kjo heshtje, e pasqyruar edhe tek trafiku i drogës, është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së Ramës, që e ka kthyer vendin në një objekt dyshimi dhe izolimi, duke treguar se çdo mit i paprekshmërisë ka fund.