Ballina Bota Raporti: Në Korenë e Veriut po ekzekutohen gjithnjë e më shumë persona...

Raporti: Në Korenë e Veriut po ekzekutohen gjithnjë e më shumë persona sepse shohin filma të huaj!

12
0

Qeveria e Koresë së Veriut është duke zbatuar gjithmonë e më shumë, dënimin me vdekje, duke përfshirë edhe njerëzit që kapen duke parë ose shpërndarë filma dhe drama televizive të huaja, sipas një raporti të rëndësishëm të OKB-së.

Diktatura e konsideruar më e izoluara në botë, po i detyron akoma edhe më shumë njerëzit të bëjnë edhe punë të detyruara thuhet në raportin e OKB.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se nëse kjo situatë vazhdon, koreano-veriorët “do t’i nënshtrohen më shumë vuajtjeve, shtypjes brutale dhe frikës që kanë duruar për kaq gjatë”.

Raporti i OKB bazohet në mbi 300 intervista të zhvilluara me persona që janë arratisur nga Koreja e Veriut 10 vitet e fundit, dhe solli përfundimin që gjithmonë e më shumë po aplikohet dënimi me vdekje.

Të paktën gjashtë ligje të reja janë futur që nga viti 2015 që lejojnë dhënien e dënimit. Të arratisurit u thanë studiuesve të OKB-së se që nga viti 2020 e tutje ka pasur më shumë ekzekutime për shpërndarjen e përmbajtjes së huaj. Ata përshkruan se si këto ekzekutime kryhen nga skuadrat e pushkatimit në publik për të ngjallur frikë tek njerëzit dhe për t’i dekurajuar ata që të shkelin ligjin.

Kang Gyuri, e cila u arratis në vitin 2023, foli për BBC dhe tregoi se  tre nga shoqet e saj u ekzekutuan pasi u kapën me përmbajtje koreano-jugore.

Kur udhëheqësi aktual Kim Jong Un erdhi në pushtet në vitin 2011, të arratisurit që u intervistuan thanë se shpresonin që jeta e tyre do të përmirësohej, pasi Kim kishte premtuar se do të kishin mjaftueshëm për të ngrënë. Ai premtoi të rriste ekonominë, ndërsa do të mbronte edhe vendin duke zhvilluar më tej armët e tij bërthamore. Por raporti i OKB zbuloi se që kur Kim shmangu diplomacinë me Perëndimin dhe SHBA-në në vitin 2019, duke u përqendruar në programin e tij të armëve, kushtet e jetesës së njerëzve dhe të drejtat e njeriut “degraduan”.

Pothuajse të gjithë të intervistuarit thanë se nuk kishin mjaftueshëm për të ngrënë dhe të haje tre vakte në ditë ishte një “luks”.