Një revolucion në kulturën e varrimeve ka ndodhur në Gjermani. Rheinland-Pfalz ka miratuar një ligj të ri që lejon banorët e këtij landi të kryejnë varrosje jashtë normave tradicionale. Prej muajit tetor, qytetarët mund të shpërndajnë hirin e të ndjerëve jo vetëm në lumin Rajn, por edhe në lumenjtë Mosel, Lahn dhe Saar. Po ashtu, urna me hirin e të vdekurve mund të merret në shtëpi.
Ky ndryshim, i pari i këtij lloji në Gjermani, heq detyrimin për arkivol dhe rregullin e varrimit vetëm në varreza. Ligji i ri gjithashtu lejon krijimin e bizhuterive përkujtimore nga hiri i të ndjerëve, përfshirë edhe diamantët sintetikë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Rheinland-Pfalz, masa do të vlejë vetëm për ata që kanë pasur vendbanimin e fundit në këtë land, duke shmangur kështu “turizmin e varrimeve”. Për më tepër, i ndjeri duhet ta ketë lënë me shkrim para vdekjes mënyrën e dëshiruar të varrimit.
Kritika nga kisha dhe komunitetet
Kisha katolike dhe ajo protestante kanë reaguar me dyshime për këtë rregullim. Peshkopi i Mainz-it, Peter Kohlgraf, theksoi se edhe trupi i vdekur ka dinjitet dhe se kjo ishte më e garantuar në varreza. Ai paralajmëroi se mbajtja e urnave në shtëpi, pa mbikëqyrje publike, mund të sjellë abuzime. Edhe presidentja e Kishës Protestante të Pfalz-it, Dorothee Wüst, tha se vdekja nuk duhet të kthehet në çështje private, pasi momentet e lamtumirës janë pjesë e përbashkët e komunitetit.
Shqetësime për rritjen e kostove
Edhe Shoqata e Komunave dhe Qyteteve të Rheinland-Pfalz ka shprehur rezerva, duke paralajmëruar se varrezat mund të përballen me rritje të tarifave. “Nëse gjithnjë e më pak njerëz varrosen në varreza, atëherë kostot duhet të mbulohen nga më të paktët që mbeten. Kjo mund të çojë në tarifa më të larta,” tha Moritz Petry, drejtues i kësaj shoqate.
Ligji i ri ka hapur një debat të gjerë në Gjermani: a po shndërrohen varrezat në model të vjetruar dhe a do të ndjekin edhe lande të tjera shembullin e Rheinland-Pfalz?