Flota e automjeteve në Shqipëri po rinovohet hap pas hapi, ndërkohë që tregu i mjeteve të reja dhe të përdorura të importuara po reflekton ndryshime të dukshme në origjinën e tyre. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në periudhën janar–gusht 2025 u regjistruan për herë të parë 66,521 mjete, shifër që dëshmon për rritjen e qëndrueshme të flotës rrugore shqiptare.
Në krye të listës së origjinës së mjeteve të importuara qëndron Koreja e Jugut, e cila përbën 21% të totalit. Markat koreane, të njohura për çmimet konkurruese, teknologjinë dhe efikasitetin energjetik, kanë fituar terren të dukshëm në tregun shqiptar, duke lënë pas shumë vende tradicionale eksportuese.
Pas saj renditen Italia me 15,9%, Gjermania me 15,4%, ndërsa Zvicra dhe SHBA përbëjnë nga 8,2% secila. Në rritje të ndjeshme është edhe Kina me 8%, duke treguar se prodhuesit aziatikë po marrin gjithnjë e më shumë pjesë në furnizimin e tregut shqiptar të automjeteve.
Në krahun tjetër, procesi i nxjerrjes jashtë përdorimit të mjeteve të vjetra ka marrë hov. Gjatë tetëmujorit të parë të vitit, 5,333 mjete u çregjistruan në mënyrë të përhershme, me një rritje prej 17.6% krahasuar me vitin 2024. Kjo nismë ndihmon në rritjen e sigurisë rrugore dhe reduktimin e ndotjes, duke larguar nga qarkullimi automjetet e amortizuara dhe të pasigurta.
Dominimi i mjeteve koreane është shenjë e një transformimi të tendencave të tregut, ku shqiptarët po kërkojnë mjete me kosto më të lira. Ky trend, i kombinuar me rritjen e importit nga Kina, pritet të thellojë konkurrencën dhe të ulë më tej kostot për konsumatorët shqiptarë, por në anën tjetër do të ketë pikëpyetje për cilësinë e këtyre mjeteve.