Ballina Ekonomia Taksat e reja për ndërtesat pritet të rrisin të ardhurat e bashkisë...

Taksat e reja për ndërtesat pritet të rrisin të ardhurat e bashkisë Tiranë me 20%

57
0

Rritja e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme do të përkthehet në më shumë të ardhura për buxhetin e bashkisë Tiranë. Vetëm për periudhën 2026–2028, programi buxhetor afatmesëm parashikon një shtesë prej 20 për qind në të ardhura, krahasuar me vitin 2025.

Kjo rritje e pritshme nuk është vetëm rezultat i zhvillimeve urbane, por edhe i vendimit për të përditësuar çmimet e referencës, të cilat po ndikojnë ndjeshëm në taksat e mbledhura nga ndërtesat dhe pronat e regjistruara në territorin e bashkisë.

Zëri kryesor i të ardhurave mbetet taksa e ndërtesës, e cila ka shënuar rritje të konsiderueshme në dy vitet e fundit si pasojë e shtimit të ndërtimeve të reja dhe regjistrimeve të pronave ekzistuese.

Nga 7 mln metra katrorë të regjistruara në vitin 2023, sot sistemi numëron rreth 7,5 mln metra katrorë, duke reflektuar të ardhura në vlerën e 2,8 miliardë lekëve.

Përveç rritjes së sipërfaqes së ndërtuar, aplikimi i çmimeve të reja të referencës pritet të forcojë edhe më tej këtë zë të ardhurash, duke garantuar buxhet të qendrueshëm.

Në kontrast me rritjen e të ardhurave nga çmimet e referencës dhe taksa e ndërtesës, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja ka shënuar një rënie prej 23 për qind.

Ky fenomen lidhet me uljen e aplikimeve për leje ndërtimi dhe ndryshimet ligjore të miratuara kohët e fundit. Megjithatë, Bashkia e Tiranës e konsideron këtë ulje të përkohshme dhe synon ta kompensojë me të ardhurat shtesë që do të vijnë nga përditësimi i çmimeve të referencës dhe administrimi më efikas i taksave.