Ballina Politika “Votova për refleks”, Tritan Shehu komenton pse doli kundër grupit, Sali Berisha:...

“Votova për refleks”, Tritan Shehu komenton pse doli kundër grupit, Sali Berisha: Nuk e ka kuptuar mesazhin në Whatsapp

22
0

Deputeti i PD, Tritan Shehu i pyetur pse nuk iu bind vendimit të grupit të PD për të mos votuar kryetarin e ri të Kuvendit, është justifikuar duke thënë se shkoi dhe votoi pa vetëdije, thjesht si refleks.

“Votova kundër, refleksi i votimit”, tha deputeti demokrat Tritan Shehu.

I pyetur nga gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, se përse nuk pati koordinim mes deputetëve të PD të cilët nuk shkuan fare për të marrë fletët e votimit, kreu i PD, Sali Berisha e shpjegoi si keqkuptim komunikimi.

“Do më jepni mundësi për të folur me zotin Tritan Shehu. Dua që zoti Shehu të më sqarojë, ka mundësi që mesazhi në grupin e Whatsapp  të mos jetë kuptuar”, tha Berisha.

‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit, Shqipëria Bëhet e Lapajt dhe PSD e Tom Doshit morën pjesë në votim.

Dy deputetët e Partisë Mundësia të drejtuar nga Agron Shehaj nuk morën pjesë në votim.

Pjesa më e madhe e deputetëve të PD-së bojkotuan procesin, duke refuzuar të marrin fletën e votimit dhe hodhën pankarta proteste në kutinë e votimit.