Me prezantimin e emrave të qeverisë së re, ministrja e Brendshme Albana Kociu zgjoi interes për faktin se do të jetë e para grua që drejton këtë institucion të rëndësishëm. Edhe pse u mundua ta minimizojë rolin e ministrit në drejtimin e rendit dhe sigurisë duke e limituar tek adresat dhe punët e brendshme, Edi Rama si dhe shumica e shqiptarëve janë të qartë se drejtuesi i këtij institucioni mban dhe ka përgjegjësi edhe për situatën e rendit në Shqipëri. Gjithashtu edhe për rolin dhe politikat e Policisë së Shtetit.
Eksperienca e këtyre 30 viteve të fundit ka treguar se ministri i Brendshëm dhe vullneti i tij politik (dhe jo vetëm politik) është përgjegjës për luftën ndaj krimit, bandave, sigurisë por edhe bashkëpunimit me organet e tjera ligjzbatuese. Në rastin konkret, Albana Kociu është një zyrtare e shtetit shqiptar me profil të lartë administrativ por jo politik. Ndërsa Policia e Shtetit drejtohet prej kohësh nga Ilir Proda, një figurë kontraverse me të shkuar të dyshimtë dhe me telefonin personal ende në shqyrtim nga Prokuroria e Posaçme. Zoti Proda ka qenë kohët e fundit në qendër të konflikteve direkte me SPAK.
Edhe pse të pazëshme si përplasje, rasti i dekonspirimit të një aksioni policor në Elbasan kur ai ishte drejtues, ai i lejimit të shkeljes së perimetrit të godinës së SPAK kur zhvillohej procesi për Erion Veliajn apo lënia jashtë aksioneve të rëndësishme të kapjes së bandave të Policisë së Shtetit janë tregues se Ilir Proda nuk është më së paku bashkëpunues me Prokurorinë e Posaçme. Lidhjet e tij të dyshuara me personazhe të krimit të organizuar dhe me lidhje politike në qeveri apo heshtja e pjesës kryesore të medias për dështimin e policisë në shumë raste shtojnë pikëpyetjet për rolin dhe fuqinë e tij në drejtimin e policisë.
Ndaj pyetja që ngrihet në këtë rast është: a do mundet vullneti i Albana Kociu të mbivendoset mbi fuqinë reale që ka drejtori aktual i Policisë së Shtetit? Apo ajo do të jetë thjesht fasadë e vendimmarrjeve të Prodës që së fundmi janë parë me sy kritik edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo është një nga çështjet më interesante të qeverisë së re. Që e veshur me Diellën dhe debatet rreth saj ka lënë në hije një nga problematikat më të rëndësishme me të cilat përballet Shqipëria: krimin e organizuar dhe tentakulat e tij të shtrira në qeverisje. Dhe pse jo, edhe në strukturat e larta drejtuese të Policisë së Shtetit./vna