Në kuadër të rritjes së transparencës dhe ndërgjegjësimit të bizneseve mbi detyrimet e tyre ligjore, Autoriteti i Konkurrencës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kulturës së konkurrencës në treg dhe lehtësimit të procedurave administrative.
Falë këtij bashkëpunimi, çdo subjekt që aplikon në Regjistrin Tregtar për transaksione të shitblerjes së kuotave apo për bashkim me përthithje, informohet paraprakisht në faqen zyrtare të QKB-së mbi detyrimet dhe sanksionet që burojnë nga ligji nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Kjo do të thotë se bizneset tashmë kanë mundësinë të verifikojnë paraprakisht nëse transaksioni që synojnë të kryejnë është në përputhje me ligjin, pa qenë nevoja të presin procedurat e regjistrimit. Në këtë mënyrë, shmangen pasiguritë dhe rritet respektimi i rregullave që garantojnë një treg të hapur dhe të ndershëm.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ky mekanizëm i ri i informacionit të menjëhershëm ndihmon në:
• Parandalimin e shkeljeve të ligjit për konkurrencën;
• Lehtësimin e detyrimeve administrative për bizneset;
• Rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit mbi procesin e kontrollit të përqendrimeve.
Ky zhvillim konsiderohet një hap përpara në krijimin e një klime më të shëndetshme të të bërit biznes, duke garantuar barazi në treg dhe mbrojtje të konsumatorëve nga praktikat monopoliste apo të padrejta.