Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, sjell vetëm dëme për këtë të fundit. Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, tha për Tvklan.al se goditja amerikane e shkërmoq Kosovën, pasi sipas tij, ajo është trajtuar si “foshnje” amerikane.
“Në përgjithësi, Kosova është parë dhe trajtuar si projekt (foshnje) amerikan. Edhe në siguri e mbrojtje, edhe në qëndrueshmëri, edhe në diplomaci, edhe në raporte tjera. Goditja amerikane e shkërmoq Kosovën, e cila tashmë është para kolapsit të plotë si shtet”, tha ai.
Ramadani u shpreh se Prishtina zyrtare “është vendosur në nivel të shteteve jo-aleate me SHBA-të dhe kjo vetvetiu nënkupton degradim të pozicionit rajonal e ndërkombëtar të Kosovës”.
Sipas Ramadanit, periudha e gjatë e mungesës së ndarjes së informacionit dhe bashkëpunimit praktik me qeverinë e Kosovës, ka shkaktuar frustrim në Uashington. Dëmi i parë, sipas Ramadanit, vjen në rrafshin diplomatik.
“Së pari, dëmi diplomatik për Kosovën është enorm. Kosova ka treguar jo-seriozitet në sjelljen e saj shtetërore”, tha ai.
Pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të SHBA-ve është edhe dëmi në sigurinë kombëtare. Sipas tij, ajo e lë Kosovën më të cenueshme në siguri.
“Së dyti, dëmi në sigurinë kombëtare është pasojë e drejtpërdrejtë. Pezullimi i Dialogut Strategjik përfshin edhe fushën e mbrojtjes e të sigurisë, që nënkupton mungesë të vendosjes së objektivave të përbashkëta kosovaro-amerikane në mbrojtje e siguri“, u shpreh Ramadani.
Më tej ai shtoi se, “Mungesa e planifikimit të përbashkët po ashtu përfshin edhe zvogëlim të mundësive për rritje të kapaciteteve kosovare në siguri e mbrojtje. Prezenca e trupave amerikane në Kosovë është në kuadër të operacionit shumëkombësh, pra nuk duhet të përzihet me bashkëpunim bilateral në mbrojtje e siguri. Kjo pasojë e lë Kosovën më të cenueshme në siguri”.
Një vendim i tillë, sipas ekspertit të sigurisë, do të ndikojë edhe në ekonomi “me mungesë enorme të mundësive të reja“. Ai thekson se nëse bllokada vazhdon në pranverën e vitit 2026, Kosova mund të kolapsojë edhe financiarisht.
“Sot, Kosova është në krizë serioze ekonomike. Ndërsa, nëse bllokada vazhdon njëjtë, në pranverën 2026 Kosova do të kolapsojë edhe financiarisht, sepse mundësia e përdorimit të buxhetit është vetëm në janar e shkurt 2026. Pas kësaj, asnjë qindarkë nga Buxheti nuk mund të shpenzohet pa vendim të Parlamentit. Dhe, nëse Parlament nuk do të ketë, nuk do të ketë asnjë tranfertë të buxhetit publik”, tha ai.
Ramadani u shpreh ndër të tjera se “ringjallja” e Kosovës është në duart e politikanëve. Ai bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve si zgjidhje, por thekson se me strukturën aktuale në krye të shtetit, situata mbetet e pashpresë.
“Se si mund të ‘ringjallet’ Kosova është në duart e politikanëve, para se të kalojë në shpatullat e qytetarëve. Formimi i shpejtë dhe pa pengesa i institucioneve nacionale dhe rikthimi në orbitën bashkëpunuese me SHBA-të. Duket e thjeshtë si formulim, por me këtë strukturë në krye të shtetit, përfshirë këtu Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, kjo është edhe e pamundshme, edhe e pashpresë”, tha eksperti i sigurisë për Tvklan.al.
Shtetet e Bashkuara vendosën më 12 shtator që të pezullojnë për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Njoftimi u bë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ku theksohet se shkak janë veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit, të cilat kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë. Në deklaratë thuhej se veprimet dhe deklaratat e Albin Kurtit kanë sfiduar progresin e arritur ndër vite.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e tyre Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme, që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”, njoftoi ambasada.
Ambasada Amerikane nënvizon se dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës.
“Shpresojmë të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë se ky është një qëllim prioritar nga populli i Kosovës”, deklaroi ambasada e SHBA-ve.
Pak kohë më parë, edhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë njoftoi se përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe të shteteve anëtare do të pezullojnë takimet me kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, deri në formimin e një qeverie me mandat të plotë.