Në një intervistë të dhënë për “ESPN Brasil”, Carlo Ancelotti ka bërë një bilanc të punës së tij në Kombëtaren braziliane të futbollit ndërkohë që nuk i është shmangur as pyetjeve të sikletshme siç ishte ajo mbi grumbullimin e munguar të Neymar Jr. në takimet e fundit të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 2026.
“Të gjithë ne e dimë se Neymar është një talent i madh.
E gjithë bota e di potencialin e tij, por që ne ta shfrytëzojmë në maksimum duhet që lojtari të jetë në formë të mirë fizike.
Nëse ai do të jetë mirë fizikisht nuk do të ketë problem grumbullimin”, tha trajneri italian.
Mes të tjerash tekniku nga Reggio Emilia u përgjigj edhe kur i kërkuan që të bënte një parashikim mbi Botërorin e 2026-ës. “Favoritet për mua janë po të njëjtat.
Argjentina si kampione në fuqi është një ekip shumë i fortë.
Ndërsa në Europë shikoj Spanjën në avnatazh, edhe Franca them se ka shumë kualitet sa i përket individëve të caktuar gjithashtu edhe Anglia mund të futet në grupin e pretendenteve.
Brazili është favorit ashtu siç është edhe Italia, e cila ka problem disi fazën e kualifikueseve. Jam kurioz që të shikoj edhe çfarë do të bëjë Gjermania”, tha trajneri italian.