Ballina Politika Rama mburret me kroçerën luksoze në Sarandë, por nuk përmend naftën pa...

Rama mburret me kroçerën luksoze në Sarandë, por nuk përmend naftën pa taksa për anijet e luksit

15
0

Kryeministri Edi Rama ka promovuar sot me entuziazëm mbërritjen e kroçerës luksoze “Voyager of the Seas” në portin e Sarandës, duke e cilësuar një tjetër sukses në rritjen e turizmit detar në vend. Kroçera gjigante, që viziton për herë të parë këtë port, u bë pjesë e një sezoni rekord për qytetin bregdetar, ku vetëm në 8 muajt e parë të vitit është shënuar një rritje prej 21% të pasagjerëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Voyager of the Seas” është një prej 70 kroçerave të planifikuara për të ndalur në Sarandë gjatë këtij sezoni, duke i dhënë qytetit një profil gjithnjë e më ndërkombëtar dhe duke u paraqitur si tregues i zhvillimit ekonomik.

Por ndërsa qeveria e paraqet këtë si arritje madhore, nuk përmendet një fakt i rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në tërheqjen e këtyre anijeve turistike: përjashtimi nga taksat i karburanteve të përdorura nga kroçerat.

Prej disa vitesh, qeveria “Rama” ka ofruar lehtësi fiskale për anijet turistike, duke përfshirë furnizimin me naftë pa akcizë dhe pa TVSH, një politikë që kritikët e konsiderojnë si një favor për industrinë e luksit, ndërkohë që qytetarët e zakonshëm përballen me çmime të larta për karburantin dhe barrën e taksave.

A është kjo një politikë në dobi të ekonomisë vendase apo një tjetër shembull i mbështetjes selektive për bizneset e mëdha të huaja?

Kjo mbetet një pyetje që qeveria shmang t’i përgjigjet.

E vërteta është se fitimi real nga këto kroçera është i kufizuar, pasi shumica e pasagjerëve qëndrojnë vetëm disa orë dhe shpenzimet e tyre janë minimale.

Rritja e numrit të vizitorëve nuk përkthehet domosdoshmërisht në përfitime të drejtpërdrejta për komunitetin lokal, i cili përballet ende me sfida të mëdha në infrastrukturë, ndotje dhe shërbime./vna