Nga Alba Kepi
Vendimi i qeverisë italiane për të dhuruar patrulluesen ushtarake ‘Libra’ Shqipërisë, në kuadër të marrëveshjes për menaxhimin e migrantëve, ka shkaktuar një debat të fortë politik në Romë dhe ka vënë sërish në qendër të vëmendjes marrëdhënien e tensionuar mes sigurisë, buxhetit publik dhe të drejtave të njeriut.
Sipas të dhënave të bëra publike pas presionit të deputetëve të opozitës Marco Grimaldi (Alleanza Verdi e Sinistra) dhe Gianmauro Dell’Olio (M5S), kostoja vetëm për reflagging-un – pra ndryshimin e flamurit të anijes Libra – i ka kushtuar shtetit italian 1.6 milionë euro.
Kjo shumë nuk përfshin vlerën e vetë anijes, që pavarësisht se ishte teknologjikisht e vjetëruar, vlerësohej me një vlerë kontabël prej 3.8 milionë euro, ndonëse si skrap do të vlente vetëm 70-100 mijë euro, me kosto të mundshme demolimi deri në 250 mijë euro.
Pra, një njësi detare e cila do të ishte një barrë financiare për t’u shkatërruar, është dhuruar si pjesë e një pakti me Shqipërinë. Qeveria italiane e përshkruan këtë si një investim strategjik për të forcuar bashkëpunimin në sigurinë detare dhe për të “konsoliduar besimin e ndërsjellë me Tiranën”.
Nga perspektiva shqiptare, kjo “dhuratë” forcon më tej bashkëpunimin me Italinë dhe e pozicionon vendin si një aktor kyç në menaxhimin e kufijve të BE-së, ndonëse jo pjesë e saj. Anija Libra, e pajisur për operacione ushtarake, do të përdoret nga marina shqiptare për të asistuar në zbatimin e marrëveshjes për emigrantët, duke ndihmuar në kontrollin dhe kthimin e tyre në strukturat e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër.
Por a po përdoret Shqipëria si “tokë neutrale” për zgjidhje të vështira politike të BE-së? A janë institucionet shqiptare të përgatitura të menaxhojnë strukturat e tipit CPR (Centro di Permanenza per il Rimpatrio), të cilat në vetvete janë objekte që shpeshherë janë kritikuar për mungesë transparence dhe për keqtrajtimin e migrantëve?
Kritikët në Itali e kanë quajtur këtë vendim si “të turpshëm për një demokraci”. Deputeti Grimaldi ka deklaruar se anija është “armatosur dhe operative për të paktën 15 vite të tjera”, ndërkohë që qëllimi i saj është tashmë “të përforcojë një forcë detare që do të ndalojë e deportojë njerëzit që kërkojnë mbrojtje”. Ai shton se ky është “një projekt i paligjshëm dhe çnjerëzor”.
Për opozitën italiane, ky nuk është një “pakt mes aleatësh”, por një mënyrë për të zhvendosur problemet nga sytë e qytetarëve të BE-së, duke i transferuar kufijtë dhe barrën ligjore e morale jashtë kufijve të saj realë. E gjithë kjo me kosto të lartë financiare dhe politike, ndërsa rezultatet konkrete të protokollit Itali-Shqipëri për migrantët mbeten ende të paqarta, sidomos pas pezullimit nga Gjykata Evropiane.
Italia ka bërë një lëvizje strategjike, por me një kosto të lartë financiare për taksapaguesit e saj, dhe me një ndikim të pasigurt në terren, ndërsa Shqipëria rrezikon të shihet si një vegjël e politikave të jashtme dhe jo si një partner i barabartë në menaxhimin e sfidave ndërkombëtare.