Ballina Politika Shqipëria absteneon në OKB për rezolutën e zgjidhjes me dy shtete, Abilekaj:...

Shqipëria absteneon në OKB për rezolutën e zgjidhjes me dy shtete, Abilekaj: Rama e vë vendin në shërbim të interesave personale

17
0

Vendimi i Shqipërisë për t’u abstenur në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për rezolutën që mbështet zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael–Palestinë ka sjellë reagime të ndryshme.

Me një status në Facebook, gazetari Enton Abilekaj ka reaguar ashpër ndaj këtij qëndrimi të Tiranës.

 ‘Ky është votimi në OKB i rezolutës së zgjidhjes me 2 shtete të konfliktit Izrael-Palestinë. E propozuar nga vendet kryesore të Bashkimit Europian dhe e votuar nga të gjitha vendet e BE përveç Hungarisë së Orbanit, mori abstenim nga Shqipëria.

Në çdo votim që nuk është në linjë me SHBA, si këtë herë kur Trump urdhëroi votimin kundër, argumenti i Kryeministrit ka qenë se jemi gjithmonë në një linjë me BE. Kush dhe pse e vendosi që të mos jemi në linjë me BE dhe as me SHBA?’, shkruan Abilekaj.

Sipas tij, ky qëndrim tregon se vendimmarrja e politikës së jashtme është përqendruar në duart e një njeriu të vetëm:

‘A e ka fuqinë Edi Rama të dalë kundër interesave strategjike të Shqipërisë? Në fakt e ka, se askush nuk e kundërshton. Shqipëria është vënë në funksion të interesave ordinere të Edi Ramës.’

Rezoluta u propozua nga vendet kryesore të Bashkimit Europian dhe u miratua me shumicë dërrmuese, me votën pro të të gjitha vendeve të BE-së, përveç Hungarisë së Viktor Orbanit.