Pas lajmit për martesën e Genar Topallit, djalit të deputetes së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, me modelen dhe moderatoren sportive Cindy Marina, janë publikuar edhe pamjet e para të ceremonisë të mbajtur në Itali.
Në videot që po qarkullojnë në rrjetet sociale, shfaqen momente emocionuese nga festa martesore, ku djali i Jozefina Topallit vallëzon si me nusen e tij, ashtu edhe me të ëmën. Një prej klipeve më të shpërndara tregon ish-kryeparlamentaren duke kërcyer me të birin në ditën e tij të veçantë.
Ceremonia private, e organizuar në një nga ambientet e Vatikanit, ka mbetur deri më tani disi e rezervuar për publikun. Megjithatë, pamjet e fundit hedhin dritë mbi disa nga momentet më të bukura të dasmës.
Kujtojmë se për shkak të kësaj ceremonie, Jozefina Topalli mungoi në seancën e konstituimit të Kuvendit, ku deputetët e rinj bënë betimin, duke u renditur ndër pesë ligjvënësit që nuk morën pjesë në këtë seancë të rëndësishme parlamentare.
Ndërkohë, Cindy Marina, e njohur për titullin Miss Universe Albania 2019 dhe për karrierën e saj si moderatore dhe ish-sportiste, kishte organizuar më herët këtë vit një festë beqarie në SHBA, e cila gjithashtu tërhoqi vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale.







