Ballina Sport Elbasani mposht Dinamon dhe merr kreun e renditjes, Vora “i prish festën”...

Elbasani mposht Dinamon dhe merr kreun e renditjes, Vora “i prish festën” Teutës

0
9

Janë luajtur këtë të diel dy ndeshjet e fundit të javës së tretë të Kategorisë Superiore.

Elbasani ka arritur të marrë një fitore tejet të rëndësishme ndaj Dinamos në shtëpi, me rezultatin minimal 1-0. Ashtu siç edhe pritej, ndeshja ishte spektakolare dhe me raste të shumta që në fillim. Verdheblutë dhanë shkëndijat e para me Bunjakun, ndërsa kryeqytetasit reaguan me Qardakun.

Në minutën e 30-të, gjithçka u bë më e vështirë për Dinamon, pasi mbeti me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq për Naser Alijin. Fillimisht u akordua penallti për vendasit, por u korrigjua gabimi nga VAR, për faull jashtë zone.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të pa prekura, ndërsa e dyta ishte tjetër histori. Në minutën e 51-të, Elbasani gjeti avantazhin me Bunjakun, që shënoi në zonë, pas asistit të marrë nga Loukili.

Në krahun tjetër, Dinamo tentoi disa herë për të barazuar, edhe pse me një lojtar më pak, por nuk konkretizoi rastet.

Me këtë sukses, Elbasani ngjitet në krye me 7 pikë, ndërsa Dinamo mban vendin e gjashtë me tre pike, por me një ndeshje më pak, për shkak se ka ndeshjen e prapambetur me Teutën.

Në duelin tjetër, Teuta dhe Vora barazua 1-1 mes tyre, në një ndeshje të luftuar deri në sekondat e fundit.

Durrsakët ishin më kërkues në shtëpi dhe gjetën avantazhin në minutën e 32-të. Shehi ishte i pafat, pasi shkaktoi një autogol, në tentativë për të larguar topin. Vora tentoi të reagojë, por pjesa e parë nuk kishte më gola.

Fraksioni i dytë ishte i qetë deri në minutën e 76-të. Kapiteni i miqve, Xhuljano Tabaku përfitoi nga një krosim në zonë dhe ia doli të shënojë me kokë, për të barazuar shifrat.

Vetëm 2 minuta më vonë, Vora mbeti me 10 lojtarë, pasi Vrapi i u ndëshkua me karton të kuq. Megjithatë, edhe pse në superioriet numerik, Teuta nuk ia doli dot të shënojë golin e fitores.

Me këtë barazim, Vora mban vendin e pestë me katër pikë, ndërsa Teuta renditet në vendin e shtatë me dy pikë, ende pa fitore këtë sezon.