Administrata Tatimore ka penalizuar një restorant në Berat, pas një inspektimi të Task Forcës së Terrenit që konfirmoi shkelje të rënda të ligjit tatimor.
Në kuadër të kontrollit për një treg rregullt, të formalizuar dhe të barabartë, për zbatimin e Planit të Turizmit, një restorant i paregjistruar për TVSH u evidentua me 930,000 € të ardhura të fshehura (2019–2025) dhe një sërë shkeljesh tatimore, si mall pa faturë, moslëshim autofature, administrim i blloqeve jotatimore.
Gjatë inspektimit subjekti iu sekuetrua dhe pajisja kompjtuerike nga e cila u evidentuan shkeljet e mësipërme.
Sipas Administratës Tatimore, këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta të ligjit dhe penalizimi i subjektit është pjesë e masave për të luftuar informalitetin, veçanërisht në sektorin e turizmit, ku gjatë sezonit veror kërkon kontrolle të shtuara.
Institucioni theksoi se do të trajtojë me seriozitet çdo denoncim të ardhur nga qytetarët, duke garantuar zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.
Kjo nismë është në linjë me strategjinë kombëtare për formalizimin e sektorit turistik, ku objektiv kryesor mbetet garantimi i konkurrencës së ndershme dhe mbrojtja e të ardhurave publike.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj rasteve të kësaj natyre dhe se do të vijojnë ndërhyrjet e fokusuara për të goditur subjektet që operojnë jashtë kuadrit ligjor.
Tatimet ftojnë bizneset të respektojnë ligjin dhe të përmbushin detyrimet, për të shmangur masat që vijnë nga moszbatimi i tij.